Skuadra nga Bundesliga, Stuttgarti po insiston në transferimin e Mërgim Berishës para mbylljes së afatit kalimtar të verës.
Mediumet gjermane kanë raportuar të hënën, se drejtuesit e klubit gjerman po negociojnë me Salzburgun për lirimin e Berishës.
Berisha ka kontratë me Salzburgun deri vitin e ardhshëm dhe Stuttgarti tashmë ka ofruar katër milionë euro për kartonin e tij.
“Ne nuk mund të përballojmë një transferim të shtrenjtë dhe nuk mund të ofrojmë pesë, gjashtë, shtatë apo tetë milionë euro për një sulmues për momentin”, ka thënë drejtori sportiv i Stuttgartit, Sven Mislintat.
Berisha 23-vjeçar, këtë sezon ka shënuar një gol në tri ndeshje për Salzburgun në të gjitha garat. Krahas Stuttgartit, thuhet se interesim për Berishën kanë shprehur edhe skuadrat nga Premier League.