Sulmuesi kosovar Mërgim Berisha ka gjasa të mëdha që karrierën ta vazhdojë në Bundesligë. Mediumet austriake kanë raportuar të mërkurën se interesim për Berishën, i cili është pjesë e Salzburgut, ka shprehur skuadra e Leipzigut.
Madje, thuhet se Leipzigu po insiston në transferimin e Berishës pas paraqitjeve të mira që ka treguar sezonin e fundit. Berisha 23-vjeçar nuk po dëshiron ta vazhdojë kontratën me Salzburgun që i skadon vitin e ardhshëm, dhe klubi austriak për ta lënë të lirë gjatë kësaj vere po kërkon rreth dhjetë milionë euro dëmshpërblim.
Te Leipzigu janë të gatshëm të bëjnë një investim të tillë për Berishën, që po e shohin si përforcim të duhur për repartin e sulmit. Në edicionin 2020/21, Berisha ka shënuar 22 gola dhe ka bërë 14 asistime në 42 paraqitje për Salzburgun.