Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Struga e Partizani kërkojnë fitore për të bërë një hap drejt plejofit

KF Struga

Krahas Ballkanit të Suharekës, edhe Struga e Partizani i Tiranës do të paraqiten në raundin e tretë kualifikues të Ligës së Konferencës. Në fakt këto janë tri skuadrat e vetme shqiptare që kanë mbetur në garat evropiane dhe po synojnë të paktën kualifikimin në plejof, nëse jo paraqitjen në fazën e grupeve të Ligës së Konferencës.

Kampionia e Maqedonisë së Veriut, Struga, të enjten do të përballet me ekipin nga Luksemburgu, Swift Hesperange. Kjo ndeshje nis në orën 17:00 dhe zhvillohet në kompleksin e Federatës së Futbollit të Maqedonisë së Veriut pasi UEFA nuk ka lejuar që dueli të luhet në stadiumin “Todor Proeski” në Shkup për shkak të gjendjes së keqe të fushës.

Deri më tani Struga ndeshjet evropiane si vendase i ka zhvilluar në Shkodër. Te Struga insistojnë se synimi është ta fitojnë këtë ndeshje, në mënyrë që në Luksemburg të udhëtojnë me rezultat të favorshëm dhe ta kenë më të lehtë kualifikimin në plejof.

“Na pret një ndeshje me interes të madh duke pasur se është moment historik për ekipin tonë dhe do të tentojnë të avancojnë përtej këtij raundi. Motivimi nuk diskutohet për shkak se synimi është të fitojmë për t’iu afruar edhe më shumë plejofit”, ka thënë trajneri i Strugës, Shpëtim Duro.

Struga avancoi në këtë raund pasi në raundin paraprak eliminoi ekipin nga Mali i Zi, Buduqnostin e Podgoricës. E në rast se tejkalon edhe ekipin nga Luksemburgu, atëherë ne plejof e pret humbësi i duelit mes Zrinjsikit nga Bosnjë-Hercegovina dhe Breidablikut të Islandës, ekipe që përballen në raundin e tretë kualifikues të Ligës së Konferencës.

Struga vazhdoi garat evropiane në Ligën e Konferencës pasi u eliminua në raundin e parë kualifikues të Ligës së Kampionëve. Edhe kampioni i Shqipërisë, Partizani, ka pasur rrugëtim të ngjashëm sikurse Struga.

Edhe Partizani e Struga gati për duelet e kthimit dhe kualifikimin në plejof Sport Partizani e Struga gati për duelet e kthimit dhe kualifikimin në plejof

U eliminua në Champions, ndërsa në raundin e dytë kualifikues të Ligës së Konferencës e eliminoi Atletic d’Escaldesin e Andorrës. Në raundin e tretë do të përballet me Valmerias, ndeshje kjo që luhet të enjten në Letoni prej orës 19:00.

Duelin e kthimit ndaj ekipit letonez Partizani e luan javën e ardhshme në stadiumin “Air Albania” në Tiranë. Në rast se avancon tutje, Partizani në plejofin e kësaj gare do të përballet me humbësin e ndeshjes së raundit të tretë kualifikues të Ligës së Evropës mes Astanas dhe Ludogoretsit.

Ndeshjen e parë të luajtur të martën mbrëma në Azerbajaxhan e ka fituar Astana me rezultatin 2:1.