Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Partizani e Struga shpresojnë ende në kualifikim

Partizani i Tiranës dhe Struga janë para një misioni të vështirë në prag të ndeshjeve të kthimit në kuadër të raundit të plejofit të Ligës së Konferencës. Të dy skuadrat shqiptare synojnë përmbysjen e rezultateve të ndeshjeve të para dhe kualifikimin për herë të parë në histori të tyre në fazën e grupeve të një gare të UEFA-s. Si Partizani ashtu edhe Struga të enjten zhvillojnë ndeshjet e kthimit ndaj Astanas nga Kazakistani, respektivisht Bredablikut të Islandës. Kampionia e Maqedonisë së Veriut, Struga, luan në udhëtim prej orës 18:45, ndërsa Partizani në stadiumin “Elbasan Arena” nga ora 20:00. Dy skuadrat i kanë humbur ndeshjet e para, të cilat i luajtën javën e shkuar. Kampioni i Shqipërisë, Partizani, u mposht në udhëtim 1:0, ndërsa Struga me rezultatin identik pësoi në duelin e luajtur në Ohër. Skuadra e Partizanit është maksimalisht e motivuar për duelin e kthimit, ndërsa trajneri Zoran Zekiq pret edhe përkrahjen e madhe të tifozëve. Për dallim prej ndeshjes së parë, Partizani pritet të jetë më i kompletuar për duelin e kthimit, me dyshimin e vetëm për sulmuesin Christian Mba.

Ky i fundit mungoi javën e shkuar në Astana dhe mbetet të shihet nëse është rikuperuar plotësisht për të startuar prej fillimit në Elbasan. Zekiq beson në paraqitje më të mirë të Partizanit sesa në ndeshjen e parë, ndërsa shton se ekipi i tij është përgatitur maksimalisht.

“Është e sigurt se do të luftojmë deri në fund. Sigurisht, nuk është lehtë pasi Astana ka një epërsi të lehtë por që mund të përmbyset dhe gjithçka mbetet e hapur. Gjithashtu do ta kemi edhe mbështetjen e fuqishme të tifozëve tanë dhe kjo do të na motivojë edhe më shumë të kërkojmë fitoren dhe kualifikimin në fazën e grupeve”, është shprehur Zekiq.

Partizani asnjëherë nuk ka luajtur më parë në fazën e grupeve të njërës prej garave të UEFA-s. Është hera e dytë që paraqitet në fazën e plejofit, në të cilën u paraqit edhe në edicionin 2016/17, por të Ligës së Evropës. Partizani garat i nisi në Ligën e Kampionëve por u eliminua në raundin e parë kualifikues për të vazhduar në Ligën e Konferencës. Për dallim prej Partizanit, skuadra e Strugës nuk do ta ketë përkrahjen e tifozëve kundër Bredablikut. Megjithatë, përkundër që luan në udhëtim, Struga është e vendosur për të pasur një paraqitje të mirë, nëpërmjet së cilës kërkon ta fitojë ndeshjen dhe paraqitjen në fazën e grupeve. Megjithatë, Strugës i rikthehet në stol trajneri Shpëtim Duro që ishte i suspenduar në duelin e parë.

Struga të enjten paradite ka zbarkuar në Islandë, ndërsa në mbrëmje ka mbajtur stërvitjen në stadiumin “Kopavogsvollur” të Kopavogurit, aty ku edhe do të luhet ndeshja me Breidablikun. Edhe Struga po kërkon që për herë të parë të paraqitet në fazën e grupeve të garave të UEFA-s. Rrugëtimin në “Champions” në këtë edicion Struga e nisi me Zhalgirisin e Lituanisë, nga i cili u eliminua. Më pas u zhvendos në kualifikimet e Ligës së Konferencës, ku arriti në raundin e plejofit.