Amir Rrahmani iu bashkua javën e kaluar në stërvitje skuadrës së Napolit, pas dy javësh izolim shkaku i koronavirusit. Por, Rrahmanit i duhet sërish të qëndrojë i izoluar, pasi bashkë me mbrojtësin e përfaqësueses së Shqipërisë, Elseid Hysaj, kanë dalë sërish pozitivë në testin për COVID-19.
Rrahmanit e Hysajt u duhet të bëjnë edhe një test tjetër për t’u konfirmuar nëse e kanë kaluar apo jo koronavirusin. Rrahmani kishte pasur shqetësime shëndetësore gjatë grumbullimit te Kosova. Por testi e nxori negativ për koronavirus.
Napoli e konfirmoi nëpërmjet një komunikate të enjten, se dy mbrojtësit shqiptarë kanë dalë me COVID-19, për herë të dytë.
“Rezultatet e testimit për COVID-19 të bërë të mërkurën në mëngjes nga anëtarët e grupit janë negative, me përjashtim të Amir Rrahmanit dhe Elseid Hysajt, të cilët kanë dalë sërish pozitivë dhe menjëherë do të izolohen në shtëpi deri në testimet e ardhshme”, thuhet në njoftimin e skuadrës së Napolit.
Testimi pozitiv, i dyti rresht, mund të prishë shumë punë për mbrojtësin e qendrës, Rrahmanin. Rrahmani ende nuk ka debutuar për Napolin në Serie A dhe tani gjendja e tij mund të rëndohet.
Po të enjten, portieri i Kosovës dhe kapiteni i parë, Samir Ujkani, ka thënë se ende nuk e ka kaluar koronavirusin. Këtë njoftim e ka bërë vetë portieri i Torinos në rrjetin social “Instagram”.
“Ende jam me koronavirus”, ka shkruar shkurt Ujkani, që vazhdon të jetë i izoluar në Torino. Edhe Ujkani doli pozitiv në testin për koronavirus me t’u kthyer në Torino pas grumbullimit me “Dardanët”.
Pas kthimit në Torino, pozitiv kishte dalë edhe mbrojtësi Mërgim Vojvoda.
Portieri 32-vjeçar, Ujkani, nuk e ka zhvilluar asnjë ndeshje këtë edicion me fanellën e Torinos.
Ndërkohë, para se Vojvoda të dilte i infektuar me COVID-19 luante rregullisht te Torino. Ai e ka kaluar koronavirusin dhe u kthye në fundjavën e shkuar në derbin kundër Juventusit, por nuk luajti asnjë minutë.
Kosova në muajin nëntor luajti tri ndeshje, një miqësore dhe dy në kuadër të Ligës C të Ligës së Kombeve. Pësoi humbje nga Shqipëria në miqësoren e luajtur në Elbasan derisa u mposht në udhëtim nga Sllovenia përpara se të triumfojë ndaj Moldavisë në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë. Për Kosovën ishte fitorja e parë në edicionin e dytë të Ligës së Kombeve. Përfundoi e treta në grup me pesë pikë. Kosova edhe edicionin tjetër do të luajë në Ligën C të kësaj gare.
Ndeshjet i udhëhoqi trajneri i parë te Kosova, Muharrem Sahiti. Sahiti zëvendësoi selektorin Bernard Challandes, që bashkë me menaxherin e përfaqësueses u vetizoluan në Durrës pas testimit pozitiv. Zvicerani nuk arriti ta udhëheqë ekipin në asnjërën prej ndeshjeve. Pozitiv gjatë grumbullimit, siç pati njoftuar FFK-ja, pati dalë edhe menaxheri i pajisjeve.
Se janë infektuar me koronavirus pas kthimit nga grumbullimi me Kosovën ishte njoftuar edhe për Elbasan Rashanin e Valon Berishën, ndonëse për Berishën vetëm nga mediumet e jo nga klubi.
Rashani i mungoi Oddit norvegjez në ndeshjen e fundit të luajtur ditë më parë, shkaku i izolimit, derisa Berisha është kthyer në ndeshjen kundër Nices të luajtur më 6 dhjetor. Ishte ndeshja e parë pas shtatë ditësh. Për infektimin e Berishës, pati raportuar gazeta e madhe franceze “L’Equipe”.
Ditë më parë është njoftuar se edhe Besar Halimi është i infektuar me koronavirus. Halimi nuk ishte pjesë e grumbullimit të fundit me Kosovën. Halimi nuk ishte përfshirë në ndeshjet e nëntorit meqë nuk ka minutazhë te skuadra e tij gjermane, Sandhausen.
Në Federatën e Futbollit të Kosovës patën thënë se gjatë grumbullimit të gjithë lojtarët ishin të karantinuar, kanë pasur vazhdimisht kujdesin e mjekëve dhe u janë nënshtruar tri testimeve para ndeshjeve, siç është edhe me protokoll.
Lojtarët ishin testuar disa herë, por rezultati, sipas FFK-së, doli negativ, ndonëse kishte simptoma te disa prej tyre. Në fakt, ata ishin testuar para secilës ndeshje, pra tri herë. Dhe secilën herë rezultati i të gjithëve ishte negativ. Më herët është infektuar me koronavirus edhe Vedat Muriqi. Ai mungoi te Lazio, derisa së fundi nuk ka luajtur fare. Disa futbollistë shkaku i situatës me koronavirus nuk janë liruar t’i bashkohen fare Kosovës.
Mjeku i përfaqësueses, Murat Berisha, ka thënë të enjten për KOHËN se u janë përmbajtur të gjitha rekomandimeve të institucioneve shëndetësore.
“U jemi përmbajtur të gjitha rekomandimeve sipas protokollit shëndetësor. Ka kaluar kohë prej se kemi qenë të grumbulluar. Madje, jam bërë ndoshta edhe i tepërt duke u
qëndruar mbi kokë lojtarëve të kenë kujdes”, ka thënë Berisha.
Ndërkohë, menaxheri i Kosovës, Bajram Shala, pret që lojtarët do ta kalojnë këtë situatë për t’u kthyer sërish titullarë në klubet e tyre.
“Pa asnjë dyshim që i kemi respektuar të gjitha masat, por në disa raste, sidomos në grumbullime tek ekipet e futbollit është e pamundshme të shmanget kontakti. Nuk është që Kosova është ekipi i parë që i ka ndodhur diçka e tillë. Ka pasur shumë ekipe dhe kombëtare të tjera që u ka ndodhur e njëjta gjë. Por, absolutisht që ne jemi ndier shumë keq për atë që ka ndodhur dhe mënyrën si kanë shkuar gjërat, sidomos për shkak të paraqitjeve të futbollistëve tanë në klubet e tyre. Por, kemi besim të plotë se pas një kohe të shkurtër ata do të jenë në gjendje t’i kthejnë pozicionet e tyre nëpër ekipet përkatëse dhe po ashtu shpresojmë se nuk do të përballemi me këtë problem në grumbullimin e ardhshëm në mars”, ka thënë Shala për KOHËN. Ai po ashtu ishte me COVID-19 muajin e kaluar.
Së fundi me koronavirus ka dalë edhe sekretari i përgjithshëm i FFK-së, Eroll Salihu. Salihu ka qenë vazhdimisht afër përfaqësueses, si në stërvitje ashtu edhe në ndeshje.
Telashe me koronavirus gjatë grumbullimit në Kosovë pati edhe për lojtarët e Shpresave, që luajnë në shtete të ndryshme të Evropës. Disa kanë mbetur të izoluar për dy javë në një hotel në Kosovë e disa janë izoluar pas kthimit në vendet ku jetojnë.