Sulmuesi Raheem Sterling është i gatshëm të rikthehet në Katar për t’u ribashkuar me Përfaqësuesen e Anglisë. Madje, mediumet angleze kanë raportuar se Sterling do të kthehet në Kupën e Botës para duelit çerekfinal, në të cilin Anglia përballet me Francën.
27-vjeçari u largua të dielën nga Katari për t’u kthyer në Angli, pasi persona të armatosur kishin hyrë në shtëpinë e tij. I brengosur për familjen e tij, Sterling është larguar nga ekipi dhe mungoi në duelin e 1/8 së finales kundër Senegalit.
Edhe pse u raportua se Sterling mund të mos kthehet, sulmuesi i Chelseat ka vendosur të ribashkohet me ekipin dhe tashmë ka folur edhe me trajnerin Gareth Southgate. Ky i fundit i ka dhënë leje lojtarit të qëndrojë me familjen e tij, por Sterling dëshiron të kthehet për ta ndihmuar ekipin.
Nuk dihet nëse Sterling do të jetë në formacion për ndeshjen e së shtunës ndaj Francës, pasi ka munguar gjatë kësaj jave në stërvitje.