Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Steaua do t’i suspendojë lojtarët e vaksinuar

Pronari i ekipit nga Rumania, Steaua Bukuresht, ka njoftuar në mënyrë sensacionale se klubi do t’i suspendojë të gjithë lojtarët që janë të vaksinuar kundër Covid-19. Pronari Gigi Becali – biznesmen e politikan rumun – tha se nuk do t’i lejojë lojtarët e vaksinuar të luajnë më sepse janë “të pafuqishëm”. Po ashtu, Becali insistoi se njerëzit që janë vaksinuar kundër koronavirusit vdesin në spitale, në krahasim me ata që kanë refuzuar të vaksinohen. Ai pretendoi se lojtarët e skuadrave rivale të Steauas, CFR Cluj dhe Rapid Bukuresht, kishin vështirësi të luanin pas marrjes së vaksinës, duke veçuar sulmuesin Ciprian Deac (36).

“Të gjithë mund të qeshin me mua, por unë mund të kem të drejtë. Të vaksinuarit humbin forcën e tyre dhe kjo është diçka shkencore”, ka thënë Becali për mediumet rumune. “Dëshmia më e mirë për këtë janë Cluji dhe Rapidi, pasi lojtarëve të tyre dukej se po iu binte të fikët. Ata nuk mund të luanin për shkak të vaksinimit. Unë i shoh edhe lojtarët e ekipit tim, të vaksinuarit. Për këtë arsye, ata që janë të vaksinuar nuk do të luajnë më për Steauan”.

Becali ka zbuluar se deri më tani ka lejuar të luajnë lojtarët që e kanë falsifikuar pasaportën e vaksinimit, ndonëse një gjë e tillë nuk është konfirmuar. Sipas tij, sulmuesi i Steauas, Claudiu Keseru, që u kthye në klub pas gjashtë vjetësh te Ludogoretsi i Bullgarisë, nuk mund të luajë në nivel të lartë për shkak se është i vaksinuar.

“Nuk dua ta ofendoj, po për shkak të vaksinës ai nuk mund të jetë më i nivelit të lartë”, shtoi Becali.

Megjithatë, deklaratat e fundit të Becalit kanë shkaktuar një reagim të furishëm nga Qeveria e Rumanisë. Në një deklaratë, “RO Vaccinare”, faqja zyrtare në “Facebook” e platformës kombëtare e informacionit të Qeverisë për vaksinim, kundërshtoi fuqishëm Becalin.

Edhe Pronari i kampionit rumun me deklarata tjera interesante: Djajtë kanë bërë punën e tyre Futboll 11 muaj më parë Pronari i kampionit rumun me deklarata tjera interesante: Djajtë kanë bërë punën e tyre

“Futbollistët e vaksinuar Nuk humbasin forcën e tyre pasi janë vaksinuar kundër Covid-19”, ishte reagimi, duke shtuar se nga pikëpamja mjekësore dhe shkencore nuk ka studime që mbështesin deklaratat e Becalit. “Vaksinimi kundër Covid-19 nuk ndikon në performancën e futbollistëve. Në të kundërtën, ka mjaft studime që tregojnë se të prekurit me koronavirus mund të kenë pasoja afatgjata dhe kjo mund të ndikojë në performancën e sportistëve”.

Rumania është një nga tetë vendet me një shkallë vaksinimi nën 60 për qind pas Sllovenisë, Kroacisë, Serbisë, Hungarisë, Sllovakisë, Polonisë e Rusisë. Megjithatë, norma e tyre aktuale prej 86.52 dozave për 100 banorë do të thotë se Rumania ka vendin e dytë më të ulët në Evropë sa i përket vaksinimit pas Bullgarisë. Megjithatë, komentet e pronarit të Steauas, Becali, janë të fundit prej deklaratave të shumta të diskutueshme që i ka thënë në të kaluarën.