Është pritur shumë rëndë në Rumani eliminimi i kampionit të këtij vendi, FSCB, nga Shkëndija e Tetovës. Skuadra shqiptare avancoi në raundin e tretë kualifikues të Ligës së Kampionëve duke e mposhtur dy herë ekipin e madh rumun. Në Shkup javën e kaluar, Shkëndija fitoi 1:0. Ndërkohë suksesin historik e kompletoi të mërkurën në “Arena Nationala” në Bukuresht në praninë e 32 mijë shikuesve, ku fitoi 2:1.
FCSB tani do të luajë me kampionen e Kosovës, Dritën, në raundin e tretë të kualifikimeve për Ligën e Evropës. Ndeshja e parë është menjëherë javën e ardhshme në Bukuresht.
Pronari i klubit FSCB, Gigi Becali, ka fyer si Dritën ashtu edhe Shkëndijën. Në intervistat për mediat rumune, Becali ka thënë se as Drita e as Shkëndija nuk janë rivale të denja për kampionin rumun.
“Do të shohim çka do të bëjmë në Evropë dhe më pas do të shohim vitin tjetër. Ne luajmë futboll. Dhe këtë vit do të isha i lumtur nëse kualifikohemi për Ligën e Evropës. Dhe do të jem i lumtur. Nëse Kosova na eliminon, atëherë ne duhet të largohemi nga futbolli. Kështu duhet të jetë. Nuk mendoj se ka ekip më të dobët se ky, nuk është asnjë më i dobët”, ka thënë Becali për DigiSport.
Drita është zhvendosur në Ligën e Evropës pas eliminimit nga Copenhageni në raundin e dytë kualifikues të Ligës së Kampionëve.
Por në Champions vazhdon Shkëndija. Kampioni rumun llogaritej favorit ndaj Shkëndijës, por tetovarët me dy fitore siguruan kualifikimin historik. Për herë të parë Shkëndija do të jetë në fazën e ligës, që ka zëvendësuar fazën grupore të ndonjërës prej garave evropiane.
Becali ka thënë se eliminimi i FSCB-së nga Shkëndija e Tetovës është turpërimi më i madh në histori të futbollit rumun.
Shkëndijën e ka vlerësuar ekip të Divizionit C, ndonëse e eliminoi skuadrën e tij.
“Turp, turp i madh. Uau, të mposhtesh dy herë në Kupën Evropiane nga një ekip i Divizionit C. Të mposhtesh një herë mund të jetë aksident, por dy herë? Është turpi më i madh i futbollit rumun deri më tani. Asnjëherë nuk ka qenë kështu. Çfarë Karagandy? Ata janë nga Divizioni C. Jemi mposhtur nga një ekip i Divizionit C. Është turpi më i madh i futbollit rumun ndonjëherë. Pasi ky ekip, kjo Shkëndijë, është shumë e dobët. Asnjëherë nuk ka qenë ekip më i dobët. Jam në futboll 25 vjet dhe asnjëherë nuk kam parë diçka të tillë më parë”, ka thënë Becali.
Ai ka kritikuar lojtarët, ndërsa i doli në mbrojtje trajnerit të skuadrës. Becali ka thënë se nuk u beson më lojtarëve.
Pritet rivalitet i madh në ndeshjet e Dritës me FSCB-në. E kaluara e përballjeve të Kosovës me Rumaninë është shumë e trazuar. Kosova dhe shqiptarët janë fyer nga rumunët, sidomos në ndeshjet në Bukuresht. Ndonëse situata ndryshon në nivel klubesh, rivaliteti pritet të jetë i madh.
Cila është lidhja me Shqipërinë e pronarit kundërthënës të kampionit rumun?
Gigi Becali është prej figurave më të njohura, por edhe më kundërthënëse, në futbollin rumun. Ai është president i klubit kampion FCSB. Ky klub të mërkurën u eliminua nga Shkëndija e Tetovës në kualifikimet e Ligës së Kampionëve dhe tani do të luajë me Dritën në raundin e tretë kualifikues të Ligës së Evropës.
Becali ka fyer të dy klubet duke thënë se Shkëndija është klub i Divizionit C dhe se duhet të largohen nga futbolli nëse i eliminon Drita.
George “Gigi” Becali është afarist, shkrimtar dhe politikan po ashtu. Por më së shumti është i njohur për futbollin.
Prejardhja e tij është nga Shqipëria. Për këtë më herët kanë raportuar shumë media rumune. Ka folur edhe vetë ai.
Publicisti Dinu Barbu ka shkruar për prejardhjen e familjes Becali, të vendosur në regjionin e Banatit në vitin 1946. Sipas tij, në vitin 1928, Gheorghe Becali, gjyshi i Gigi Becalit, është larguar nga fshati i Koçës, Plasë, dhe është vendosur bashkë me familjen në afërsi të Silistras, që tani është në Bullgari e atëherë ishte pjesë e Rumanisë.
Familje të tjera aromaniane nga Shqipëria dhe Greqia po ashtu u vendosën në regjionin që nga rumunët njihej si Cadrilater. Ky regjion tani është në Bullgari.
Familja Becali qëndroi në atë regjion deri në vitin 1940, kur u detyrua të largohet si rezultat i shkëmbimit të popullsisë mes Bullgarisë dhe Rumanisë.
Kështu familja Becali u vendos në Calarasi të Rumanisë. Kjo familje ka kaluar sfida të shumta, varfëri ekstreme, ka ndërruar disa vendbanime, por tani Gigi Becali është prej njerëzve më të fuqishëm në Rumani. Ishte babai i tij që krijoi kapital të konsiderueshëm, të cilin e trashëgoi Becali.
“Babai im u lind në Shqipëri, nëna në Bullgari. Ai është deportuar në Dobrogea, më pas në Bucovina, më pas në Banat e sërish në Baragan, në fshatin Zagna, në afërsi të Brailas, ku unë u linda në vitin 1958. Unë jam i lindur në një kamp në Zagna”, ka thënë Becali.