Albion Rrahmani është i kënaqur me startin e furishëm në stinorin pranveror të Superligës së Kosovës në futboll. Por, sulmuesi nuk ka pritur se do t’i realizojë pesë gola në dy ndeshje.
Me dy golat e shënuar të dielën në fitoren 2:1 ndaj Drenicës, Rrahmani është ngritur në pozitën e parë të listës së golashënuesve me 12 gola. Javën e shkuar, Rrahmani shënoi tre gola në fitoren 4:2 të Ballkanit ndaj Malishevës.
“Të them të drejtën nuk e kam pritur një fillim kaq të mirë. Por, këto dy ndeshje kanë shkuar në mënyrën më të mirë të mundshme. Shpresoj të vazhdoj ta ndihmoj ekipin edhe në ndeshjet e ardhshme”, ka thënë Rrahmani të dielën për KOHËN.
Ai thotë se synim është që në fund të edicionit të dalë kampion me Ballkanin dhe të bëhet golashënuesi më i mirë i kampionatit kosovar.
“Patjetër që çdo sulmues ka dëshirë dhe synon të jetë i pari me gola. Por, në radhë të parë janë rezultatet e ekipit e pastaj edhe statistikat individuale”, është shprehur Rrahmani.
Ai po shndërrohet në lojtar gjithnjë e më të rëndësishëm për ekipin nga Suhareka.
“Natyrisht që jam shumë i kënaqur, sepse kam startuar në mënyrën më të mirë të mundshme, si unë po ashtu edhe të gjithë bashkëlojtarët. Po japim maksimumin në çdo ndeshje që të marrim rezultate pozitive. Golat e shënuar më motivojnë shumë që të vazhdoj edhe në ndeshjet e ardhshme me efikasitet. Dua të mos ndalem me kaq, por ta ndihmoj klubin që ta mbrojë titullin e kampionit”, ka thënë Rrahmani.
Ai thotë se Ballkani ka forcë për ta mbrojtur titullin. Garën më të fortë për titull, Ballkani do ta ketë me Dritën e Gjilanit.
“Ballkani ka forcë për ta mbrojtur titullin duke ditur kualitetet që kemi brenda ekipit super lojtar. Ne realisht kemi dy ekipe në klub dhe jemi duke bërë maksimumin të gjithë. Ka konkurrencë të fortë, por ne luajmë si një ekip i bashkuar”, ka thënë Rrahmani.
22-vjeçari edhe në vjeshtë tregoi paraqitje të mëdha. Ishte ndër lojtarët që u paraqit mirë edhe në Ligën e Konferencës. Për Rrahmanin interesim kanë shprehur disa klube, por klubi nga Suhareka vendosi që ta mbaj deri në verë. Ai me kampionin në fuqi të Kosovës ka kontratë deri në qershor të vitit 2024. Vlera e tij në tregun e transferimeve është 350 mijë euro.
Në janar Ballkani shiti Ermal Krasniqin te Cluji i Rumanisë. Ai po tregohet i suksesshëm.
Edhe Rrahmani synon që karrierën në të ardhmen ta vazhdoj jashtë vendit. Por, për momentin insiston se është i fokusuar te Ballkani.
“Jam i fokusuar në ndeshjet që kemi me Ballkanin. Nuk mohohet që ka pasur interesim gjatë janarit, por të shohim se si do të rrjedhin gjërat në afatin kalimtar të verës”, ka thënë Rrahmani.
Edhe te Ballkani shpresojnë që në verë ta shesin sulmuesin.
Ndërkohë, trajneri Ilir Daja është shprehur i lumtur me formën e Rrahmanit.
“Gjithmonë do ta kemi një golashënues. Vjet kishim Ermal Krasniqin dhe ai po bën mirë edhe te skuadra ku ka shkuar. Tash e kemi Rrahmanin. Por ai po shërbehet mirë edhe nga Korenica dhe Gripshi, Thaqi e Potoku nga krahët, të cilët e kanë përkrahur shumë mirë dhe i kanë dhënë topa të mirë. Rrahmani shënimin e golave e ka në ADN-në e vet. Këta gola janë meritë e ekipit, por ai i ka edhe momentet individuale”, është shprehur Daja.