Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Rrahmani në ekipin e stinorit, bashkë me Krasniqin edhe në ekipin e xhiros

Sulmuesi Albion Rrahmani është njeriu i momentit në futbollin rumun. Sajti zyrtar i ligës rumune të futbollit të martën publikoi ekipin më të mirë të stinorit të rregullt, që përfundoi në fundjavën e kaluar. Dhe Rrahmani është pjesë e tij.

Sulmuesi 23-vjeçar ka zënë vend në ekipin e stinorit të rregullt, ndonëse mungoi në plot nëntë ndeshje të Rapid Bukureshtit për shkak të një lëndimi. Ai ishte lënduar derisa po luante për Kosovën ndaj Andorrës, më 12 tetor të vitit të kaluar. U kthye më 19 janar, duke realizuar gol ndaj Craiovas. Në fundjavë, në fitoren 4:0 të Rapid Bukureshtit në derbin e zjarrtë ndaj FCSB, Rrahmani shënoi dy gola dhe e përgatiti një tjetër.

Deri më tani Rrahmani ka 13 gola e tri asistime në 15 paraqitje kampionale në Rumani. Golashënuesit më të mirë të Rumanisë kanë vetëm një gol më shumë se Rrahmani, ndërsa kanë luajtur shumë më tepër ndeshje se ai.

“Ai ka impresionuar që nga debutimi me fanellën e Rapidit. Kishte debutuar me dy gola. Vazhdoi me formë të lartë duke shtuar 11 gola të tjerë dhe duke bërë tri asistime”, ka shkruar sajti i ligës rumune.

Liga rumune ka shkruar se për bazë në përzgjedhjen e ekipit më të mirë të stinorit të rregullt janë marrë kritere të ndryshme.

Edhe Rrahmani drejt Premier Leagues Sport Rrahmani drejt Premier Leagues

Rrahmani së bashku me Ermal Krasniqin janë përzgjedhur në ekipin më të mirë të xhiros së 30-të, të zhvilluar fundjavën e kaluar. Krasniqi kishte një gol e një asistim në fitoren e Rapidit. Te Rapidi luan edhe Florent Hasani.

Rapidi e përfundoi stinorin e rregullt në pozitën e dytë të kampionatit rumun me 55 pikë, nëntë më pak se FSCB, ish Steaua Bukureshti. Në plejof, FSCB starton me 32 pikë, ndërsa Rapid Bukureshti me 28 pikë.

Nëse vazhdon me formën aktuale, Rrahmani vështirë se do të luajë gjatë në Rumani. Media të fuqishme në Rumani kanë shkruar të martën se interesim për kosovarin ka shprehur skuadra e Premier Leagues, Aston Villa.

Box ******

t: Rrahmani drejt Premier Leagues

Superforma që po kalon te Rapidi i Bukureshtit, ka bërë që sulmuesi i Kosovës, Albion Rrahmani, të kërkohet edhe nga një prej klubeve më të njohura të Premier Leagues, ka raportuar “Fanatik” të martën.

Siç shkruan ky medium rumun, Aston Villa është ekipi që po e kërkon sulmuesin 23-vjeçar, që ka realizuar 13 gola në 15 ndeshje në ligë.

“Ka interesim të madh nga Aston Villa. Sipas burimeve tona, Villa është e interesuar pasi Rrahmani është profil i lojtarit që e kërkon Unai Emery. Për mua ai është lojtari më i mirë. Mund të luajë në perëndim, pa probleme”, ka thënë gazetari më i njohur në Rumani, Horia Ivanovici.

Edhe Mediumi çek shkruan për sulmuesin e Kosovës Futboll Mediumi çek shkruan për sulmuesin e Kosovës

Edhe gazetari Alin Buzarin e ka cilësuar Rrahmanin si lojtarin më të mirë në Superligën e Rumanisë.

Rrahmani ishte transferuar nga Ballkani te Rapidi në fillim të gushtit të vitit të shkuar për rreth 600 mijë euro.