Mirë u pafshim Paqa! Faleminderit për tre vjet të forta në Millentor! Kështu e ka titulluar përshëndetjen zyrtare skuadra e St. Paulit për futbollistin e Kosovës, Leart Paqaradën. Pak pasi nisi viti 2023, u bë e ditur se Leart Paqarada do të largohet nga St. Pauli në verë.
Ai do t’i bashkohet Koelnit në Bundesligë. Mbrojtësi i krahut të majtë ka zhvilluar 102 ndeshje për St. Paulin. Kapiteni i edicionit të sivjetmë largohet me shtatë gola të shënuar e 26 asistime. Ai i ishte bashkuar St. Paulit në verën e vitit 2020 nga skuadra e Sandhausenit ku i kishte kaluar gjashtë edicione.
“I jam shumë mirënjohës St. Paulit sepse kam qenë në gjendje ta bëj hapin e madh në futboll dhe të zhvillohem personalisht këtu. Është e vështirë për mua t’iu them lamtumirë, por jam shumë i lumtur po ashtu sepse ëndrra ime për të luajtur në Bundesligë është bërë realitet”, ka thënë Paqarada kur vendosi të kalonte te Koelni.
Në Bundesligë, Paqarada do të luajë për herë të parë në karrierë. Ai karrierë ka bërë edhe te të rinjtë e Bayer Leverkusenit.