Sportistëve të Kosovës u është dashur të qëndrojnë rreth pesë orë jashtë dhomave të kompleksit olimpik në Oran të Algjerisë, ku prej të shtunës deri më 6 korrik do të mbahen Lojërat Mesdhetare. U është thënë se i kanë vendosur në dhoma të gabuara nga organizatorët. Zgjidhja u është bërë vetëm pas qëndrimit prej pesë orëve jashtë dhomave.
“Kemi mbetur ende pa u akomoduar nëpër dhoma. Po na shëtisin herë në një objekt, herë në tjetrin. Ende nuk jemi vendosur qëkur kemi ardhur, ndërsa shtetet tjera janë vendosur në dhomat e tyre këtu në fshat”, ka thënë një sportist i Kosovës në kushte anonimiteti për KOHËN.
Edhe zëdhënësi për media i Komitetit Olimpik të Kosovës (KOK), Kushtrim Krasniqi, ka treguar për telashet organizative që janë në Oran. Krasniqi, që ka udhëtuar bashkë me grupin e parë të sportistëve të Kosovës në Oran, thotë se punët në kompleks nuk kanë përfunduar ende, ndërsa sallat ende nuk janë gati as për stërvitje e as për gara.
“Organizim tejet i dobët, më i dobëti prejse marrim pjesë në garat ndërkombëtare me ekipet olimpike dhe mesdhetare”, thotë të mërkurën Krasniqi për KOHËN.
Ekipi i Kosovës ka mbërritur në orët e hershme të së mërkurës në Oran, ndërsa pas gjumit të bërë, rreth orës 11:00, siç tregon Krasniqi, u është thënë se duhet të lirojnë dhomat. Sipas tij, organizatorët kanë thënë se ato dhoma u takojnë sportistëve të shteteve tjera.
“U është thënë se dhomat u takojnë sportistëve të Marokut. Janë detyruar t’i lirojnë 3 dhomat. Tash kanë vendosur të na dërgojnë në një tjetër objekt të gjithëve për të mos na ndarë”, ka theksuar Krasniqi.
Ai ka treguar se në kompleks dëgjohen zhurmat e punëtorëve që po punojnë në ndërtim brenda “Fshatit Mesdhetar” ku do të qëndrojnë sportistët gjatë Lojërave Mesdhetare.
“Punëtorë gjithkah në fshat, sallat ende nuk janë gati as për stërvitje, as për gara. Akreditimet ende nuk janë gati për të na u dorëzuar. Thuhet se në fshat nuk ka vend të mjaftueshëm për të gjitha ekipet”, ka treguar Krasniqi.
Algjeria nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, por Krasniqi thotë se flamuri i Kosovës është i vendosur në qytet. Edhe sportistët e Kosovës nuk janë të kënaqur me organizimin. Ankohen se ndihen të lodhur.
“Nuk po e kuptoj se si ndodh një gjë e tillë në një ngjarje të madhe. Organizatorët i kanë ngatërruar punët. Nuk është problemi vetëm te ne, por edhe sportistët e shteteve tjera po ankohen për organizim të dobët”, ka thënë një tjetër sportist i Kosovës.
Në grupin e parë që tashmë ka mbërritur në Algjeri janë sportistët e atletikës, boksit, notit dhe badmintonit. Sportistët e sporteve pjesëmarrëse do të udhëtojnë në ditët në vijim. Në Oran marrin pjesë 3.390 sportistë nga 26 shtete të Evropës, Afrikës dhe Azisë. Kosovën e përfaqësojnë edhe 16 trajnerë e tre gjyqtarë. Kosova për herë të parë në Lojërat Mesdhetare u paraqit në Tarragona të Spanjës, në vitin 2018, ku garuan 40 sportistë të 12 sporteve të ndryshme. Në Tarragona, katër vjet më parë, sportistët më të suksesshëm ishin ata të Italisë me 156 medalje gjithsej, prej tyre 56 të arta. Spanja kishte 122 medalje, prej tyre 38 të arta. Ndërkohë, Turqia me 31 të arta dhe 95 gjithsej ishte përfaqësuesja e tretë më e suksesshme. Me katër medalje, prej tyre tri të arta, Kosova ishte e 14-a në listë. Shqipëria e kishte fituar një të artë e një të argjendtë. Ndërkohë pa medalje kishin mbetur vetëm Andorra dhe Libia. Italia, Spanja, Turqia, Franca, Egjipti sërish pritet të jenë lart në listën e medaljeve.