Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Spanja më në fund lejon valimin e flamurit të Kosovës

Karateistët kosovarë po paraqiten të barabartë me karateistët e vendeve të tjera në Kampionatin Evropian që të enjten nisi në Guadalajara të Spanjës.

Këtë e ka bërë të ditur Federata e Karatesë e Kosovës, që ka dërguar një ekip të madh garuesish në ngjarjen më të madhe evropiane të këtij sporti luftarak. Spanja në të kaluarën ka bërë diskriminim ndaj sportistëve kosovarë lidhur me mënyrën e përfaqësimit të tyre në ngjarjet e mbajtura në këtë vend.

Kështu në Botërorin e vitit të kaluar të mbajtur në Madrid, karateistët kosovarë nuk u lejuan të garonin me simbole dhe në vend të shkurtesës së vendit u përdor shkurtesa e Federatës Botërore të Karatesë e më pas e Federatës kosovare të karatesë, shkruan sot “Koha Ditore”.

Diskriminim kishte pasur edhe në Lojërat Mesdhetare të vitit të kaluar, ndërsa një turne kualifikues që po zhvillohet aktualisht nga përfaqësueset U-17 në futboll është zhvendosur nga Spanja për në Zvicër, pasi autoritetet spanjolle refuzuan të shfaqeshin simbolet e Kosovës. Flamuri i Kosovës muajin e kaluar nuk është lejuar as në ndeshjet e hendbollit të KHF Istogut, në Spanjë.

Por autoritetet spanjolle kanë lëshuar pe për Evropianin e Karatesë, pas presionit të madh që ishte bërë pas diskriminimit në Botëror.

“Federata e Karatesë e Kosovës në Spanjë theu barrierat lidhur me përdorimin e simboleve të Kosovës. Në mesin e të gjitha shteteve pjesëmarrëse, flamuri dhe garuesit e Kosovës po paraqiten të barabartë”, thuhet në njoftimin e FKK-së.

Edhe Kosova pritet t’i ndjekë rrugët ligjore pas diskriminimit nga Spanja Sport Kosova pritet t’i ndjekë rrugët ligjore pas diskriminimit nga Spanja

Edhe nga Federata Botërore kanë thënë se nuk ka telashe për mënyrën e përfaqësimit të Kosovës në Spanjë, vendin që nuk e pranon pavarësinë e Kosovës.

Shumica e garuesve të Kosovës kanë garuar të enjten, në ditën e parë të garave. Fortesa Orana ka pasur suksesin më të madh. Ajo të shtunën do të ketë luftën për medalje të bronztë.