Komiteti Olimpik i Kosovës ka reaguar me shumë shqetësim pasi karateistët kosovarë nuk u lejuan të garonin të barabartë në Kampionatin Evropian që nis sot në Guadalajara të Spanjës.
“Komiteti Olimpik i Kosovës me shqetësim të madh është duke përjetuar diskriminimet e sportistëve tanë nga shtetet, të cilat ende e përziejnë sportin me politikën. Së fundi, dhe jo për herë të parë, Spanja sërish bëhet faktor, duke rikthyer “regjimin” e vjetër për sportistët tanë, pavarësisht se disa vjet më parë ishte treguar korrekte në këtë drejtim dhe pikërisht me sportistët e njëjtë”, thuhet në reagimin e KOK-ut.
Sipas KOK-ut, institucionet vendase nuk e kanë lejuar organizatorin që të shfaqë simbolet shtetërore të Kosovës.
“KOK, që është në kontakt me FKK-në, ka informuar menjëherë Komitetin Olimpik Ndërkombëtar (IOC), nga të cilët pret reagim të shpejtë, në mënyrë që karateistët tanë të mos e humbin edhe një garë të rëndësishme, siç ndodhi javë më parë me Evropianin e të rinjve në Qipro”, thuhet tutje në reagim.
Të martën në mbrëmje reagon edhe Federata e Karatesë së Kosovës.
“FKK-ja e indinjuar, por edhe e motivuar për të bërë gjithçka për të ardhmen e karateistëve tanë, kërkon nga të gjithë që të mbështesim garuesit të cilët kanë potencialin e duhur për t’u ngjitur në piedestalin evropian e botëror”, është shkruar në reagimin e tyre.
Edhe
Federata e Karatesë: Spanjollët nuk na lejuan asnjë simbol
Për herë të dytë këtë vit, karateistët kosovarë mbesin jashtë Evropianit. Ata nuk kanë garuar as në Qipro në Evropianin për të rinj, pasi nuk u lejuan simbolet e Kosovës.
Por në vitin 2019 në Evropianin e mbajtur po në Guadalajara të Spanjës, Kosova ishte paraqitur me të gjitha simbolet shtetërore.
Evropiani është garë kualifikuese edhe për Lojërat Evropiane Krakovia 2023.