Sport

Spanja e Italia përpara ndeshjeve të rëndësishme për kualifikim në Botëror

Faza e kualifikimeve evropiane për Kampionatin Botëror “Katari 2022” përfundon javën e ardhshme me Portugalinë, Spanjën, Italinë dhe Holandën, që janë në mesin e përfaqësueseve që përballen me ndeshje vendimtare në përpjekje për ta siguruar pjesëmarrjen në ngjarjen e madhe. Fituesit e dhjetë grupeve kualifikuese do të kualifikohen direkt për shfaqjen botërore të futbollit, që fillon më 21 nëntor të vitit të ardhshëm. Ndërsa, dhjetë përfaqësueset, që përfundojnë në pozitat e dyta në grupet e tyre, do të kenë një tjetër rast për t’u kualifikuar në Botërorin “Katari 2022”. Ato do të luajnë në plejofin, që do të mbahet në muajin mars të vitit tjetër.

Përfaqësuesja e Spanjës dëshmoi se sërish duhet të merret parasysh si fuqi botërore, pas arritjes në gjysmëfinale të “Euro 2020” dhe në finale të Ligës së Kombeve. Megjithatë, kampionia e botës nga viti 2010 ka ende punë për të bërë për të siguruar vendin e saj në Katar nga Grupi B kualifikues. Skuadra e Luis Enriques renditet e dyta, me dy pikë më pak se Suedia, që është lidere.

Spanja të enjten luan në Athinë ndaj Greqisë, e cila ia mori një pikë pas barazimit 1:1 në ndeshjen e parë të luajtur në mars. Dështimi për të fituar këtë herë ndaj Greqisë do t'i jepte Suedisë mundësinë për ta zënë vendin e parë në grup me fitore në Gjeorgji. Gjithçka do të përcaktohet në këtë grup kur Spanja e pret Suedinë, që e ka përfshirë në ekip Zlatan Ibrahimoviqin, të dielën në Sevilla.

Kualifikimin direkt në Botërorin “Katari 2022” nuk e ka ende të sigurt as kampionia në fuqi e Evropës, Italia, e cila nuk arriti të kualifikohej në Kampionatin Botëror të vitit 2018. Me dy ndeshje të mbetura në Grupin C, Italia ka 14 pikë, sa edhe Zvicra, me të cilën përballet te premten në Romë. Në të njëjtin vend Italia e mposhti 3:0 Zvicrën para pesë muajve, në ndeshjen hapëse të Kampionatit Evropian. Kushdo që fiton do të mbetet duke kërkuar vetëm një pikë në duelin e fundit kualifikues, me Italinë që luan në udhëtim ndaj Irlandës së Veriut dhe Zvicrën, që e pret Bullgarinë.

“Nuk duhet të mendojmë shumë pasi e dimë se çka mund të bëjmë. Nëse e luajmë lojën tonë atëherë kualifikimi nuk duhet të vihet në dyshim”, tha përzgjedhësi i Italisë, Roberto Mancini, të martën.

Holanda është shumë afër rikthimit në Kampionatin Botëror pas dështimit për t’u kualifikuar në vitin 2018. Ekipi i Louis van Gaalit i prin Grupit C me dy pikë më shumë se Norvegjia. Kjo do të thotë se një barazim në udhëtim te Mali i Zi të shtunën nuk do ta dëmtojë Holandën, nëse e shmang humbjen kundër Norvegjisë, që është pa Erling Haalandin, në duelin që luhet në Roterdam.

Beteja mes Rusisë dhe Kroacisë në Grupin H është e ngushtë, me rusët aktualisht dy pikë përpara kroatëve dhe me duelin që të enjten e luajnë me Qipron. Nëse Kroacia nuk dështon në Maltë, atëherë mund ta sigurojë vendin e parë në grup kur ta presë Rusinë në Split të dielën.

Portugalia e Cristiano Ronaldos aktualisht është e dyta në Grupin A, me një pikë më pak se Serbia. Megjithatë, portugezët kanë një ndeshje më pak me Irlandën të enjten dhe goldallim më të mirë. Pavarësisht rezultatit të këtij dueli, vendi i parë në këtë grup do të përcaktohet të dielën në Lisbonë, ku Portugalia përballet me Serbinë.

Kampionia në fuqi e botës, Franca, mund të arrijë kualifikimin duke e mundur Kazakistanin në Paris të shtunën. Edhe një barazim do të mjaftonte, me kusht që Finlanda të mos fitojë më herët ndaj Bosnjë-Hercegovinës. Përndryshe Franca, pa të dëmtuarin Paul Pogba, mund të kualifikohet për në Katar të martën kur të luajë në Helsinki ndaj Finlandës.

Anglia është tri pikë përpara Polonisë në Grupin I, kështu që nënkampionia e “Euro 2020” do të kualifikohet duke marrë katër pikë nga ndeshjet në shtëpi me Shqipërinë dhe në udhëtim me San Marinon.

Belgjika do ta fitojë Grupin E duke e mposhtur Estoninë në Bruksel të shtunën, përpara duelit që do ta luajë në Uells.

Përfaqësuesja e Gjermanisë e ka siguruar tashmë vendin e saj në Katar duke e zënë pozitën e parë në Grupin J. Për një vend që siguron plejofin në këtë grup luftojnë Rumania, Maqedonia e Veriut, Armenia dhe Islanda.

Danimarka është kualifikuar nga Grupi F, ndërsa Skocisë i duhen vetëm tri pikë prej dueleve me Moldavinë dhe Danimarkën për të luajtur në plejof.