Tre muaj pas përfundimit të Botërorit “Katari 2022”, kualifikimet për Kampionatin e ardhshëm Evropian nisin këtë javë me disa nga përfaqësueset më të mëdha që kërkojnë të kthehen në skenën e madhe.
Franca arriti deri në finalen e Botërorit të Katarit për t’u mposhtur nga Argjentina me penallti. Por Spanja, Gjermania dhe Italia kishin përvoja jo-pozitive para ose gjatë turneut të vitit të kaluar në Katar. Spanja nuk ka fituar turne të madh që nga Euro 2012. Derisa arriti në gjysmëfinale në Euro 2020, eliminimi në 1/8 e finales në Botërorin e Katarit ishte një goditje për një brez të ri premtues lojtarësh. Rënia e Gjermanisë që nga fitimi i Kupës së Botës në vitin 2014 vazhdoi pasi u eliminua në fazën e grupeve vitin e kaluar - për të dytën herë radhazi në Kupën e Botës. Dhe, kampionia në fuqi e Evropës, Italia, nuk u kualifikua fare për turneun në Katar.
Sa i përket Belgjikës, ajo hyri në turne si ekipi i dytë në ranglistën e FIFA-s, por nuk mundi të dilte nga faza e grupeve. Ekipi i ri i Portugalisë arriti në çerekfinale, por u eliminua nga Maroku në atë që mund të ishte Botërori i fundit i Cristiano Ronaldos. Finalistja e Euro 2020, Anglia, përjetoi eliminimin e saj më të hershëm në një turne nën drejtimin e trajnerit Gareth Southgate pas humbjes nga Franca në çerekfinale. Southgate tha se i duhej kohë për të shqyrtuar të ardhmen e tij pas humbjes nga Franca, por shpejt vendosi të qëndronte. Me kontratën e tij që i përfundon në dhjetorin e vitit tjetër, është e mundur që turneu evropian i vitit të ardhshëm të jetë i fundit për Southgaten si trajner i Anglisë.
Pavarësisht largimit të hershëm në Katar, Anglia pati paraqitje inkurajuese, duke përfshirë mënyrën në të cilën skuadra dominoi në periudha të mëdha edhe në humbjen ndaj Francës. Pritet që Jude Bellingham të shfaqet si figura qendrore në ciklin kualifikues për Euro 2024. Marcus Rashford është dëmtuar për ndeshjet e para kundër Italisë dhe Ukrainës, por po kalon sezonin më të mirë të karrierës së tij me Manchester Unitedin.
“Kemi dy ndeshje të vështira, por ne duhet të fillojmë fuqishëm në këto kualifikime nëse duam të jemi në Evropian. Po ashtu, synimet i kemi të mëdha edhe në Kampionatin Evropian”, tha Southgate.
Barcelona është rikthyer në krye të ligës spanjolle dhe Real Madrid është ende skuadra që duhet mposhtur në Ligën e Kampionëve. Por telashet e Përfaqësueses së Spanjës vazhdojnë. Ka qenë një periudhë modeste për një vend që pati suksese të jashtëzakonshme në vitet 2008, 2010 dhe 2012 – ku fitoi dy tituj të kampionit të Evropës dhe një të botës. Humbja nga Maroku në 1/8 e finales në Katar erdhi pavarësisht shpresës së shfaqur se dyshja e mesfushës së Barcelonas, Gavi dhe Pedri, mund të udhëheqë një epokë të re suksesi. Shpresat e Spanjës për një fillim fitues kundër Norvegjisë të shtunën në ndeshjen e parë të trajnerit Luis de la Fuente janë ndihmuar edhe nga tërheqja e sulmuesit Erling Haaland nga përfaqësuesja norvegjeze për shkak të lëndimit.
“Erlingu e mori shumë afër zemrës kur kuptoi se nuk mund të luante për ekipin”, tha trajneri i Norvegjisë, Stale Solbakken. “Fatmirësisht, ka ende mjaft besim, talent dhe unitet në këtë grup për të fituar pikë në ndeshjet që na presin”.
Për një moment, trajneri i Italisë, Roberto Mancini, e udhëhoqi vendin e tij drejt titullit të Evropës. Por, tani po e duron poshtërimin e dështimit për t'u kualifikuar në Kupën e Botës. Ai ka një shans të fillojë të shpaguajë veten të enjten kundër Anglisë, ekipi që Italia e mundi me penallti në finalen e Euro 2020 të luajtur në stadiumin “Wembley”. Pas dështimit për t'u kualifikuar në dy kupat e fundit të botës, është e vështirë të thuhet se çfarë mund të presin kundërshtarët nga Italia. Por bazuar në vitet e fundit, nuk ka gjasa të jetë e mërzitshme për shkak të lojës ofensive që aplikon nën drejtimin e Mancinit.
“Jemi maksimalisht të motivuar dhe sigurisht se duam që të kemi një start të mirë. Kemi parasysh se në dy ndeshjet e para përballemi me kundërshtarë të vështirë, por jemi gati për shkak se duam të luajmë në Evropian”, ka thënë Mancini.
Pasi drejtoi gjeneratën e artë të Belgjikës, Roberto Martinez tani ka marrë përsipër një ekip të jashtëzakonshëm të Portugalisë. Ndërsa Ronaldo është në muzg të karrierës në moshën 38-vjeçare dhe luan në Arabinë Saudite, Martinez ka një mori yjesh për të zgjedhur, duke përfshirë Bernardo Silvan, Bruno Fernandesin, Joao Felixin dhe Diogo Jotan. Ai nuk fitoi trofe të madh me Belgjikën, por mund të ketë mjetet për ta udhëhequr Portugalinë drejt suksesit, duke filluar me ndeshjet kundër Lihtenshtajnit dhe Luksemburgut.
Trajneri i Gjermanisë, Hansi Flick, sugjeroi se ekipi kishte nevojë për një rishikim pas eliminimit të hershëm nga Kupa e Botës.
“Për vite me radhë po flasim për portierë të rinj dhe mbrojtës të krahut, por Gjermania ishte gjithmonë në gjendje të mbrohej mirë”, tha Flick.
Me Gjermaninë që do të presë Kampionatin Evropian të vitit të ardhshëm, Flick duhet ta bëjë gati ekipin vetëm me ndeshje miqësore. Por kjo gjithashtu i jep Flickut mundësinë për të eksperimentuar. Ai ka zgjedhur gjashtë lojtarë të rinj për miqësoret e këtij muaji kundër Perusë dhe Belgjikës.
As një “hat-trick” nga Kylian Mbappe nuk mund ta ndalonte Lionel Messin të fitonte trofeun e vetëm që i kishte shpëtuar me Argjentinën. Por, edhe në humbjen në finalen e Kupës së Botës, Mbappe dëshmoi se është futbollisti i ardhshëm i madh. Sulmuesi i Paris Saint-Germainit mund të kompensojë zhgënjimin e humbjes në Katar duke e çuar ekipin e tij drejt titullit evropian në Gjermani. Franca do të përballet me Holandën dhe Irlandën, ndërsa Mbappes i është besuar roli i kapitenit nga trajneri Didier Deschamps.