Aktorja e njohur amerikane Jennifer Lawrence ka konfirmuar se ka kryer ndërhyrje estetike në gjoks, ndërsa ka folur edhe për planet e saj të ardhshme dhe biznesin e ri në industrinë e kujdesit për flokët, ka shkruar FemaleFirst.
Aktorja ka folur hapur për ndërhyrjen estetike në gjoks, duke konfirmuar thashethemet e mëparshme. Gjithashtu, ka zbuluar se në të ardhmen do të dëshironte të kryente edhe një ndërhyrje estetike në fytyrë.
Lawrence ka shpjeguar se dëshiron të duket e kuruar edhe në përditshmëri, sidomos kur shoqëron fëmijën e saj.
“Dua të dukem si një grua që i ka të gjitha nën kontroll, edhe kur sapo jam zgjuar dhe në të vërtetë nuk i kam”, u shpreh ajo.
Ylli i filmit “The Hunger Games”, 36 vjeçe, ka themeluar kompaninë “Mes”, në bashkëpunim me inxhinieren e kimisë dhe biologjisë Jasmina Aganovic. Brendi ofron tre produkte: një spërkatës për volum, një maskë riparuese dhe një serum për flokët.
Në një intervistë për The Cut, Lawrence ka pranuar me humor se nuk është shumë e zonja me shifrat financiare.
“Nëse do të më kërcënonit me armë dhe do të më pyesnit se çfarë shifrash duhet të arrijë ‘Mes’ për të qenë e suksesshme, nuk do të kisha asnjë ide. Shifrat nuk më mbeten në mendje. Jam pak budallaqe, por e lezetshme!”, u shpreh aktorja.
Ajo ka pranuar se krijimi i një kompanie të re është një rrezik, sidomos në kushtet aktuale ekonomike.
“Një plan më i zgjuar do të ishte të nënshkruaja për një film të madh me vazhdime. Të hapësh një kompani për t’u pasuruar është si të hidhesh nga një anije turistike me shpresën se do të përfundosh mbi një derë”, ka thënë ajo me humor.
Megjithatë, Lawrence është përfshirë drejtpërdrejt në zhvillimin e produkteve. Ajo ka treguar se e ka dërguar serumin përsëri në laborator plot 150 herë, derisa ka qenë e kënaqur me rezultatin.