Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Kroacia kërkon ta mbyllë edicionin e suksesshëm me trofeun e parë të madh

Përfaqësuesja e Kroacisë në futboll mund të mbyllë një edicion të shkëlqyer me sukses në Turneun Final të Ligës së Kombeve. “Finalet” e Ligës së Kombeve të UEFA-s janë këtë javë, kurse pos Kroacisë paraqiten edhe tri përfaqësueset e mëdha evropiane, Holanda, Spanja e Italia. Këto përfaqësuese kërkojnë të kthejnë shkëlqimin e humbur në fund të një kampanje të gjatë.

Turneu me katër përfaqësuese do të mbahet në Holandë. Gjysmëfinalistja e Kupës së Botës, Kroacia, do të përballet me nikoqiren, Holandën, në gjysmëfinalen e parë në Roterdam të mërkurën mbrëma (20:45). Spanja dhe Italia do të takohen 24 orë më vonë në qytetin Enschede.

Fituesit do të kalojnë në finalen e Roterdamit, që luhet të dielën, kur është edhe ndeshja për vendin e tretë.

Arritja e Kroacisë në gjysmëfinalen e Kupës së Botës 2022 konfirmoi një reputacion që kroatët e krijuan katër vjet më parë në Rusi, kur humbën nga Franca në finale. Holanda dhe Spanja u larguan nga Katari duke besuar se mund të kishin bërë më shumë.

Holandezët u eliminuan në çerekfinale pas penalltive nga Argjentina, ndërsa Spanja u befasua nga Përfaqësuesja e Marokut në 1/8 e finales.

Edhe Turneu final i Ligës së Kombeve, mundësi për katër përfaqësueset e përfshira Sport Turneu final i Ligës së Kombeve, mundësi për katër përfaqësueset e përfshira

“Është një mundësi e mirë për ne, që pas vendit të tretë në Katar, ta fitojmë trofeun e Ligës së Kombeve, që do të ishte një arritje shumë e madhe. Me triumfin në Ligën e Kombeve do të shënonim një edicion tejet të suksesshëm”, ka pranuar selektori i Kroacisë, Zlatko Daliq.

Italia nuk arriti të kualifikohej në Botërorin e vitit të shkuar, por e ka lejuar selektorin Roberto Mancini të qëndrojë dhe të përpiqet të rindërtojë skuadrën. Ai do të ketë pesë lojtarë nga skuadra e Interit, që humbi finalen e Ligës së Kampionëve të shtunën nga Manchester City.

“Është një arritje e madhe për ne që jemi kthyer në finalet e Ligës së Kombeve”, tha Mancini. “Në grup kishim skuadra të mira, si Gjermania, Anglia dhe Hungaria. Jemi në fazën finale dhe është e qartë se duam të fitojmë, si të tjerët, por nuk do të jetë e lehtë”.

Spanja ka bërë një ndryshim të madh që nga kupa e botës “Katari 2022”, nën drejtimin e trajnerit të ri Luis de la Fuente. Ai bëri shtatë ndryshime në grup pas ndeshjes së fundit në muajin mars, duke përfshirë edhe kthimin e 37-vjeçarit Jesus Navas.

Holandezët futen në këtë turne pa sulmuesin Memphis Depay dhe mbrojtësin Matthijs de Light, ndërsa po shpresojnë për një rilindje nën drejtimin e Ronald Koemanin. Ai zëvendësoi Louis van Gaalin si përzgjedhës. Ndërkohë, Kroacia do të udhëhiqet nga lideri e kapiteni Luka Modriq, që kërkon trofeun e parë të madh me përfaqësuesen. Kroacisë i mungon mbrojtësi kryesor, Joshko Gvardiol, për shkak të lëndimit.

“Jemi gati për të dëshmuar edhe një herë forcën tonë si ekip, përkundër orarit të ngjeshur që e kishin lojtarët me klubet e tyre”, shtoi Daliq.

Kroacia tani ka një rast të mirë për të fituar trofeun e parë të madh pasi përfundoi nënkampione në kupën e botës “Rusia 2018” dhe doli e treta në Botërorin “Katari 2022”.

Edhe Holanda e vendosur ta mposhtë Kroacinë në gjysmëfinalen e parë Sport Holanda e vendosur ta mposhtë Kroacinë në gjysmëfinalen e parë

Ky është edicioni i tretë i Ligës së Kombeve, turne që nisi për të zëvendësuar miqësoret “e pakuptimta”. Portugalia fitoi edicionin e parë në vitin 2019 dhe Franca ishte kampione e Ligës së Kombeve dy vjet më parë.

Në turneun final paraqiten fituesit e katër grupeve në Ligën A. Liga e Kombeve është e ndarë në nivele, varësisht nga forca e përfaqësueseve. Vetëm Liga A jep kampionin.