Primozh Gliha është kandidat për ta drejtuar Përfaqësuesen e Kosovës në futboll. Kështu ka mësuar KOHA të mërkurën nga burimet brenda Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK). Trajneri slloven ka qenë ndihmës i Bernard Challandesit, që të mërkurën u largua nga posti i përzgjedhësit të “Dardanëve” pas rezultateve të dobëta të këtij muaji në kuadër të kualifikimeve për botërorin “Katari 2022”.
Kryetari i FFK-së, Agim Ademi ka thënë se ende nuk ka asgjë konkrete. Gliha së fundi ka qenë trajner i ekipit U21 të Sllovenisë.
“Gliha është kandidat për ta zëvendësuar Challandesin te Kosova. Madje, ka edhe një dakordim që prej shtatorit që ai të jetë pasues i Challandesit”, ka thënë shkurt një zyrtar i FFK-së në kushte anonimiteti.
Gliha është 53-vjeçar, i lindur në Lubjanë të Sllovenisë. Karrierë si futbollist ka bërë te shumë skuadra të ndryshme, ndërsa për përfaqësuesen e Sllovenisë ka luajtur 28 ndeshje, ku ka shënuar dhjetë gola. Para se ta drejtonte ekipin U21 të Sllovenisë, Gliha ishte në krye edhe të skuadrave U18 e U19 të këtij shteti. Sa u përket klubeve, ai ka qenë në krye të Olimpija Lubjanës, Drava Ptujinit, Goricës, Muras dhe Koperit.
“Ende nuk jemi ulur me KE-në për të shqyrtuar kandidatura”, ka thënë Ademi për KOHËN.
Kosovës deri në fund të ciklit të dytë të saj kualifikues për botërorin “Katari 2022” i ka mbetur edhe një ndeshje për ta zhvilluar, ajo me Greqinë që luhet më 14 nëntor në Athinë. Pas shtatë ndeshjeve të zhvilluara, Kosova zë vendin e fundit në Grupin B kualifikues me katër pikë, sa i ka edhe Gjeorgjia që është e parafundit. Grupit i prin Suedia me 15 pikë, e përcjellë nga Spanja (13) e Greqia (9). Pas kualifikimeve për Botërorin e vitit të ardhshëm, Kosova do të nisë garat në edicionin e tretë të Ligës së Kombeve. Faza e grupeve e Ligës së Kombeve fillon më 2 qershor dhe përfundon më 27 shtator të vitit të ardhshëm. Kosova është në Ligën C edhe për edicionin e ardhshëm të Ligës së Kombeve. Kualifikimet e rregullta për Evropianin e vitit 2024 zhvillohen nga marsi deri në nëntor të vitit 2023.