Sport

Skuadrat me pak lojtarë të huaj e me trajnerë vendorë

Krahas numrit të vogël të basketbollistëve të huaj në edicionin 2020/21 të Superligës së Kosovës, i limituar pritet të jetë edhe numri i trajnerëve të huaj në skuadrat elitare.

Klubet e Superligës pas telasheve të mëdha financiare të shkaktuara nga pandemia e koronavirusit janë fokusuar kryesisht te lojtarët, por edhe trajnerët vendorë. Së fundi, Rahoveci dhe Bashkimi edhe pse nuk kanë bërë ende asnjë lëvizje për lojtarë, kanë zyrtarizuar trajnerët për sezonin e ri. Rahoveci të enjten ka konfirmuar se ka arritur marrëveshje me Bujar Locin derisa Bashkimi një ditë më herët ka bërë të ditur se Illmen Bajra do të jetë në krye të ekipit. Bajra ishte në krye të Bashkimit edhe sezonin e shkuar, i cili u ndërpre nga Federata e Basketbollit të Kosovës (FBK) më 31 mars pas përhapjes së COVID-19 në vend. Ndërkohë Loci edicionin e shkuar e nisi te Sigal Prishtina dhe në fillim të këtij viti u kthye te Rahoveci, por që nuk arriti ta drejtojë ekipin në asnjë ndeshje pasi fillimisht sezoni i basketbollit u anulua dhe pastaj u ndërpre nga FBK-ja, pa u shpallur kampioni.

Në fakt basketbolli është sporti i vetëm kolektiv që nuk e ka përfunduar edicionin e fundit dhe nuk është aktiv pothuajse që nga ndërprerja. Mbyllja e palestrave sportive si masë e re e Qeverisë së Kosovës në luftën për parandalimin e përhapjes së koronavirusit u ka pamundësuar skuadrave që të nisin me stërvitje për edicionin e ri. Ngjashëm si Rahoveci dhe Bashkimi sa i përket çështjes së trajnerit pritet të veprojë edhe Sigal Prishtina, që këtë post pritet t’ia besojë Andin Rashicës.

Në krye të Ponte Prizrenit mbetet Arbnor Rifati, sikurse edhe Shkumbin Kumnova te Vëllaznimi derisa situata më e paqartë është te skuadra e Pejës dhe e Trepçës, të cilat ende nuk e kanë zgjidhur këtë çështje dhe ende nuk kanë dhënë ndonjë sinjal se po punojnë në këtë aspekt.

Te Peja, kryetari Art Gashi ditë më parë ka ofruar dorëheqjen derisa te Rahoveci është emëruar bordi i ri në tentim për të mobilizuar klubin. Trajneri i vetëm i huaj tash për tash në Kosovë është Dragan Radoviq që është konfirmuar nga Golden Eagle Ylli javë më parë. Ylli gjithashtu në ekip tashmë i ka regjistruar edhe dy lojtarë të huaj, amerikanët Daniel Regis e Cody John, derisa edhe Ponte Prizreni ka angazhuar Justin Jonesin, Josh Martinsin e Ty Nicholsin... (Më gjerësisht lexoni në KOHA Ditore)