Sport

“Tretja” e trajnerëve të vendit në Superligën e basketbollit

Trajnerët e vendit nuk janë pjesë e “rokadave” të shumta në klubet e Superligës së Kosovës në basketboll. Për më tepër, hapësira e tyre është zvogëluar maksimalisht në elitën e basketbollit kosovar.

Në fazën përfundimtare të kampionatit, shtatë prej tetë skuadrave të Superligës udhëhiqen nga trajnerë të huaj. I vetmi trajner vendor në elitë është Arbnor Rifati i Ponte Prizrenit.

Ponte Prizreni udhëheq në tabelë me 37 pikë nga 22 ndeshje. Të gjitha skuadrat që janë nën Ponten në tabelë, drejtohen nga trajnerë të huaj.

Deri të shtunën edhe skuadra tjetër prizrenase, Bashkimi, kishte trajner vendor. Por klubi me marrëveshje të dyanshme u nda me Illmen Bajrën. Pak kohë pasi njoftoi për ndarjen me Bajrën, Bashkimi ia besoi drejtimin e ekipit kroatit Franko Sterle.

Po të shtunën, Sigal Prishtina për trajner e emëroi Lupçe Malinkovin, maqedonasin që në pjesën e parë ishte te Vëllaznimi. Prishtina e kishte nisur edicionin me Andin Rashicën, por ndërkohë e emëroi malaziasin Dragan Radoviq. Radoviq dha dorëheqje dhe prapë punën e vazhdoi Rashica. Por Prishtina, si në të shumtën e rasteve, vendosi për trajner të huaj.

Golden Eagle Yllin e drejton turku Fatih Gezer. Te Rahoveci tani është trajneri grek Fotis Takianos, i cili e zëvendësoi Bujar Locin. Peja ka ndërruar katër trajnerë këtë edicion, të gjithë të huaj. Tani skuadrën ia ka besuar Radoviqit, që këtë edicion pos te Prishtina ka punuar edhe te Golden Eagle Ylli.

Trepçën e drejton turku Serhat Shehit që zëvendësoi kroatin Neven Plantak. Vëllaznimi po ashtu ka të huaj në krye të shtabit teknik. Branimir Paviq e zëvendësoi trajnerin aktual të Prishtinës, Malinkovin.

Trajneri prizrenas, Bajra, vlerëson se klubet nuk po ua japin rastin e duhur trajnerëve vendorë. Sipas tij, klubet duhet të kenë më shumë durim ndaj trajnerëve vendorë dhe të funksionojnë në bazë të strategjive të caktuara.

“Çdo klub dhe kryesi po përballen me probleme financiare. Në çdo fillim të sezonit, kryesitë e klubeve vetëm shikojnë të formojnë ekipin me çdo kusht, duke mos përpiluar asnjëherë një plan afatgjatë, në aspekt financiar. Nuk kanë as plane strategjike për formimin e ekipit. Çdo gjë e nisin në bazë të planit vetjak, në bazë të përvojës së mëhershme e jo duke inkuadruar njerëz që kanë përvojë në basketboll. Unë personalisht mendoj se problemi qëndron te klubet që nuk ua kanë dhënë rastin për afat më të gjatë trajnerëve vendorë. Në anën tjetër jemi vetë ne këta trajnerë që nuk angazhohemi në maksimum dhe të avancojmë më shumë. Por këtu normal pjesë e rëndësishme për motivim janë benefitet dhe pagat jostabile dhe kontratat disamujore. Trajnerët vendorë nuk janë të vlerësuar nga kryesitë e klubeve”, ka thënë Bajra, që mbeti pa punë të shtunën.

Trajnerët e huaj vlerësohen më të shtrenjtë se ata vendorë. Dhe jo të gjithë prej tyre janë të konfirmuar në vendet prej nga vijnë. Një pjesë karrierën si kryetrajner e fillojnë pikërisht në Kosovë.

Për trajnerët vendorë, sidomos ata të rinj, janë të rezervuara vendet e ndihmëstrajnerëve. Ata mbesin në klube pavarësisht ndryshimeve në krye të shtabeve teknike.

“Ata që vijnë në Kosovë dhe që kanë ardhur deri më tani, nuk janë treguar shumë më të mirë se këta që jemi, me përjashtim të disa trajnerëve që kanë ardhur në vitet e kaluara e që ishin cilësorë. Në kohët e fundit më shumë kanë ardhur trajnerë pa përvojë të cilët kanë punuar çfarë kanë dashur. Me paga marramendëse kanë zbrazur buxhetin e klubeve për mijëra euro. Në fund të sezonit largohen pa asnjë rezultat të vetëm dhe duke mos i promovuar vendorët. Në disa raste nuk u kanë sjellë as klubeve rezultate”, ka shtuar Illmen Bajra.

Në të vërtetë, ka kohë që trajnerët vendorë përballen me mosbesim nga drejtuesit e klubeve. Sidomos kur klubet kanë pretendime, besimi më i madh është ndaj trajnerëve të huaj. Dhe kjo përcillet nga viti në vit.

Një pjesë e klubeve i fajësojnë trajnerët e vendit për këtë. Ka vlerësime se ata nuk investojnë në ngritjen profesionale. Por vlerësime të tilla hidhen poshtë nga vetë trajnerët.

“Është situatë dëshpëruese. Jam nga ata që u japin rëndësi të veçantë trajnerëve vendorë. Por kështu është vlerësimi i ‘ekspertëve’ në krye të klubeve. Fare nuk është mirë që skuadrat nuk iu besojnë trajnerëve vendorë. Shumë herë kam thënë që asgjë trajnerët e huaj nuk kanë më shumë se ne. Faji pa dyshim është i klubeve”, thotë Arbnor Rifati, trajner i Ponte Prizrenit.

Rifati është në situatë më të favorshme. Ai vite më parë e themeloi si klub Ponte Prizrenin. Vazhdon të jetë personi kryesor në klubin lider.

“Unë jam themelues, por tani klubi ka struktura: kryetarin, nënkryetarin, drejtorin e Bordin. Por kush është i marrë ta ndërrojë trajnerin lider”, ka shtuar Rifati.