Kosova do të kthehet nga Lojërat Evropiane pa medalje të fituar. Të fundit që garuan prej delegacionit të Kosovës ishin Adrien Uka dhe Krenar Emini që nuk lanë gjurmë në teqball.
Në edicionin e tretë të Lojërave Evropiane, Kosova dërgoi ekip të madh, por kthehet pa medalje.
Në dy edicionet e kaluara të kësaj ngjarjeje kontinentale, Kosova kishte fituar medalje me xhudon. Xhudistët nuk ishin në ngjarjen e mbajtur në Poloni, që përfundon të dielën. Dhe kështu Kosova është prej pak vendeve që nuk fiton medalje, duke prekur tjetër pikë të ultë.
“Me garuesit e tekbollit përfundojnë garat për ekipin e Kosovës në edicionin e tretë të Lojërave Evropiane, në të cilin për herë të parë nuk fituam medalje”, ka shkruar Komiteti Olimpik i Kosovës. Medaljes i është afruar vetëm boksierja Donjeta Sadiku.