Bernardo Silva edhe një herë ka konfirmuar se dëshiron të largohet nga Manchester City në fund të sezonit aktual. Portugezi të martën ka thënë se është i gatshëm t’i bashkohet një projekti të ri pas një periudhe të gjatë te skuadra angleze.
Ai është pjesë e Cityt prej vitit 2017 dhe deri më tani ka fituar katër tituj kampioni të Anglisë. Para fillimit të këtij sezoni, Silva ishte afër kalimit te Barcelona por City refuzoi ofertën e klubit nga Spanja. “Jam i fokusuar ta përfundoj sezonin me Cityn, pasi nuk ka kuptim të largohem në mes të sezonit.
Dëshira ime është që t’i bashkohem një projekti tjetër diku tjetër dhe klubi tashmë e di këtë”, është shprehur Silva.
28-vjeçari ka kontratë me Cityn deri në vitin 2025, kurse këtë edicion ka dy gola e pesë asistime në Premier League.