Charles Leclerc është ngasësi i parë në historinë e Formula 1 që siguroi “pole-position” në dy seanca kualifikuese në të njëjtën fundjavë. Por, ai nuk iu afrua fitimit të asnjë gare dhe kjo është historia e karrierës së tij këtë edicion.
Leclercu ka talentin që me një makinë të papërsosur, si Ferrari i këtij viti, të arrijë kohë çuditërisht të shpejtë në një xhiro të vetme. Por ai nuk ishte në gjendje të shtyhej me bolidin dominues të Red Bullit në garën e së dielës të mbajtur në Baku të Azerbajxhanit. Ai përfundoi vetëm i treti në Azerbajxhan për të konfirmuar një fillim të zbehtë të sezonit 2023. Leclerc u tërhoq në dy nga tri garat e para.
“Jemi afruar me Red Bullin, ndoshta pak, por ende jemi shumë prapa në aspektin e ritmit të garës. Madje mendoj se jemi edhe prapa Aston Martinit në këtë aspekt”, pranoi Leclerc. “Për momentin ne duhet të punojmë në këtë drejtim, pasi bolidi nuk po mund të përballojë shumë xhiro. E them këtë për shkak se në kualifikime isha i pari, por pastaj në garë nuk munda të bëja shumë, sepse ishin në pyetje 51 xhiro”.
Leclerc tani ka plot 19 “pole-position” në karrierë, por vetëm pesë fitore në gara. Bilanci i tij është thuajse i kundërt me atë të Max Verstappenit, i cili ka 22 “pole-position”, por 37 fitore dhe dy tituj kampioni në Formula 1.
Leclerc e shndërroi për herë të fundit një “pole-position” në fitore të garës më shumë se një vit më parë. Filloi prej pozitës së parë dhe u rendit i pari në garën për Çmimin e Madh të Australisë, në prill të vitit 2022. Që nga ajo fitore ai është nisur prej pozitës së parë plot tetë herë, duke përfshirë katër herë radhazi në mesin e vitit 2022. Ka fituar edhe një garë, por kur u nis prej pozitës së dytë në Austri dhe tejkaloi Verstappenin.
Formula 1 ka pasur specialistë të kualifikimeve më parë e që ishin të pafat në garat kryesore. Në vitet 1980, Rene Arnoux kishte 18 “pole-position”, por vetëm shtatë fitore në gara. Kjo ndodhi kryesisht për shkak të ngasjes së bolidit të Renaultit.
Ka shumë shkaqe për mungesën e fitoreve të Leclercut, duke filluar nga bolidi e deri te gabimet në strategji të skuderisë, që i kanë kushtuar pilotit francez. Gjëja më e çuditshmja ishte ajo në vendlindjen e tij, Monaco, në vitin 2021. Leclerc shënoi kohën më të shpejtë në kualifikime, por pësoi prishje të bolidit menjëherë. Bolidi iu riparua, derisa një problem i madh u bë i qartë para fillimit të garës dhe Leclerc duhej të tërhiqte makinën në garazh. Kështu e la bosh “pole-position” që e kishte siguruar.
Se kur mund të vijë fitorja e radhës për 25-vjeçarin, pasi të sigurojë vendin e parë në kualifikime, as vetë Leclerc nuk e ka të qartë.
“Ende kam shumë punë për të bërë për sa i përket ritmit të garës”, tha ai. “Unë mendoj se kemi bërë absolutisht gjithçka, kemi provuar gjithçka. Por, përfundimi është se ne thjesht nuk jemi mjaftueshëm të shpejtë”.
Leclerc është pjesë e Ferrarit prej vitit 2019. Asnjë pilot i Ferrarit nuk e ka fituar titullin e kampionit që nga viti 2007. Ferrari nuk di për titull konstruktorësh prej vitit 2008.