Xherdan Shaqiri nuk ka luajtur shumë për Bayern Muenchenin dhe Liverpoolin. Por, Shaqiri me të dy ekipet ka arritur ta fitojë Ligën e Kampionëve, garën më të madhe të UEFA-s për klube.
Me Bayernin e fitoi në edicionin 2012/2013, ndërsa me Liverpoolin në edicionin 2018/2019. Për Bayernin pati realizuar dy gola dhe po aq asistime në 14 ndeshje, ndërsa në dhjetë ndeshje për Liverpoolin në “Champions”, Shaqiri pati kontribuar me dy asistime. Një gol në fazën e grupeve e shënoi edhe për Baselin. Në 12 ndeshje për Baselin futbollisti i lindur në Gjilan asistoi tri herë. Në total, Shaqiri ka tre gola e shtatë asistime në 36 ndeshje në Ligën e Kampionëve.
Shaqiri tani nuk është pjesë e ndonjë klubi që luan në Champions. Ai po luan te Chicago Fire në SHBA. Faza grupore e Championsit në disa edicione ishte pa futbollistë shqiptarë, ndërsa këtë edicion ka numër rekord të tyre.
Janë plot shtatë shqiptarë që janë pjesë e edicionit 2022/2023 të fazës grupore të Ligës së Kampionëve.
Në ndeshjet e xhiros së parë, në garën elitare evropiane debutuan tre lojtarë shqiptarë.
Më herët ka pasur edhe disa futbollistë të tjerë shqiptarë që kanë luajtur në Ligën e Kampionëve. Fatos Beqiraj kujtohet për golin që e kishte shënuar ndaj Real Madridit në fazën e grupeve të “Championsit”. Pati shënuar sa ishte pjesë e Dinamo Zagrebit.
Debutimi plot shkëlqim i Rrahmanit
Amir Rrahmani ka udhëhequr mbrojtjen e Napolit dhe ka shfaqur ndeshje të madhe në fitoren kundër finalistit të edicionit të kaluar, Liverpoolit. Rrahmani luajti deri në fund të takimit te Napoli që mposhti të mërkurën mbrëma 4:1 Liverpoolin në Itali. “Kemi arritur fitore ndaj një ekipi shumë të fortë. Ishte e rëndësishme të fitonim, por rezultati vjen pas një paraqitjeje të shkëlqyer. Prej tre vjetësh jam këtu, po mundohem të jap maksimumin, të jem një nga drejtuesit e mbrojtjes, të ndihmoj shokët e mi në repart. Nuk e di sa mund të shkojë ky Napoli, të shohim. Tani le të mendojmë për ndeshjen e radhës që e kemi në kampionat”, ka thënë Rrahmani.
Kameri, debutuesi 18-vjeçar
Debutim në “Champions” bëri edhe Dijon Kameri. Talenti kosovar u paraqit 65 minuta në barazimin e Salzburgut të Austrisë kundër kampionit të Italisë, Milanit. Ndeshja përfundoi 1:1, ndërsa Kameri u vlerësua lart për paraqitjen e tij. “Mund të them që këto javë ishin shumë emocionuese për mua. Debutova në ligë, në Kupë dhe gjithashtu në Ligën e Kampionëve. Kjo është gjëja më e madhe që mund ta arrijë një futbollist. Kjo më bën shumë krenar dhe gjithashtu më motivon. Kam luajtur për të rinjtë kundër klubeve më të mira në gjithë Evropën, kundër më të mirëve të moshës tënde. Por të luash në Champions League është diçka plotësisht ndryshe”, ka thënë Kameri të mërkurën për KOHËN.
Përvoja e Januzajt me dy klube të ndryshme
Adnan Januzaj është një tjetër lojtar që debutoi në Ligën e Kampionëve, por vetëm sa i takon Sevillas. Ai kishte luajtur dy ndeshje edhe për Manchester Unitedin.
Januzaj luajti për Sevillan të martën, në disfatën 4:0 nga Manchester City.
Humbje pësuan edhe Eintracht Frankfurti dhe Interi. Te Eintracht Frankfurti që humbi 3:0 nga Sportingu i Lisbonës, në stol ishte portieri Diant Ramaj, që vlerësohet me të ardhme të ndritur. Pritje të mëdha ka edhe nga Kristjan Asllani që ishte në stol tek Interi në ndeshjen ndaj Bayern Muenchenit. Interi humbi 2:0 të mërkurën.
Arijan Ademi, lideri i Dinamo Zagrebit
Armando Broja pati debutim të hidhur me Chelsean në Ligën e Kampionëve. Ai hyri si zëvendësues në humbjen nga Dinamo e Zagrebit. Dinamo i udhëhequr nga Arijan Ademi fitoi 1:0 në Zagreb. Ademi u shpall lojtar i ndeshjes.
“Ishte një lojë e madhe nga ne. Luajtëm shumë mirë. Doli që ne jemi një ekip i fortë, ndryshe nga e kaluara. Por, tani u dëshmuam kundër një kundërshtari jashtëzakonisht të fortë” tha pas ndeshjes 31-vjeçari Ademi, motori i mesfushës së Dinamos.
Ademi për Dinamon ka luajtur 16 ndeshje në Ligën e Kampionëve.