Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Shqipëria siguron medalje në botërorin e boksit në Beograd

Boksieri nga Shqipëria, Alban Beqiri, ka bërë histori duke siguruar medalje në Botërorin e boksit që po mbahet në Beograd.

Beqiri, edhe kësaj radhe, si para meçeve tjera, ishte fishkëllyer derisa po ngjitej në ring. Por kjo nuk e ka ndalur atë.

Ai e ka mposhtur të mërkruën mbrëma në çerekfinale boksierin nga Jordania, Zeyad Eashash 4:1 me vlerësim të gjyqtarëve. Beqiri, që garon në kategorinë deri 71 kilogramë, humbi raundin e parë, por fitoi dy raundet tjera, duke siguruar kështu të paktën medaljen e bronztë.

Katër nga anëtarët e jurisë e vlerësuan Beqirin fitues (30:27, 30:27, 29:28 dhe 29:28), ndërsa njëri në favor të Eashashit (29:28).

Për Beqirin ishte fitorja e katërt në Botëror. Në rrethin e parë mposhti kenianin Boniface Maina 5:0, në të dytin lituanin Saimonas Banys 5:0, ndërsa në të tretin boksierin nga Panamaja, Eduardo Chambers Beckford 4:1.

Në gjysmëfinale Beqiri do të përballet me boksierin rus Vadim Musaev. Lufta gjysmëfinale do të zhvillohet të enjten.

Edhe Beqiri mposhtet në gjysmëfinale, por kthehet me medalje nga Beogradi Sport Beqiri mposhtet në gjysmëfinale, por kthehet me medalje nga Beogradi

Boksierëve nga Kosova i ishte ndaluar pjesëmarrja në Botërorin në Beograd. Delegacioni i Kosovës nuk u lejua të hynte në Serbi nga autoritetet e shtetit fqinj, ndonëse tri herë tentuan ta bënin këtë. Për këtë të hënën Komiteti Olimpik i Kosovës ka deponuar ankesë zyrtare te Komiteti Olimpik Ndërkombëtar.

Në Botërorin e Beogradit kanë marrë pjesë edhe pesë boksierë tjerë shqiptarë. Don Emini ka garuar për Norvegjinë. Ai u ndal në 1/8 e finales në kategorinë deri 71 kilogramë nga jordanezi Eashash. Po të fitonte përballjen do të vinte te një duel me Beqirin. Shqipërinë pos Beqirit e kanë përfaqësuar edhe Indrit Laci e Nelson Hysa.

Ndërkohë për Maqedoninë e Veriut boksuan Jasin Lama e Arsim Etemi.

Image