Prishtinë, 7 nëntor – Boksierët e Kubës ishin më të suksesshmit në Kampionatin Botëror që të shtunën mbrëma përfundoi në Beograd të Serbisë. Botërori, ndër të tjera, do të mbahet mend për diskriminimin ndaj boksierëve të Kosovës e po ashtu për suksesin historik të Shqipërisë.
Federata Ndërkombëtare e Boksit Amator (AIBA), ashtu siç pritej, Botërorin në Beograd e ka vlerësuar të suksesshëm. Por gjithsesi diskriminimi i shtetit të Serbisë ndaj boksierëve të Kosovës, do të mbetet njollë për këtë organizatë. Dhe po ashtu mund të ketë ndikim në të ardhmen e AIBA-s.
Tre garues të Kosovës ishin paraqitur për të garuar në Botërorin e boksit amator. Por tri përpjekje për të hyrë në territorin e Serbisë rezultuan të pasuksesshme. Pati reagime nga autoritetet sportive dhe politike të Kosovës, ndërsa reaguan edhe AIBA dhe Komiteti Olimpik Ndërkombëtar (IOC). Por Botërori filloi dhe u zhvillua pa Kosovën pjesë e tij. Ka shpresë te Federata kosovare për ndonjë dënim të AIBA-s ndaj Serbisë, por kjo nuk ndryshon faktin se Kosova mbeti jashtë Botërorit për arsye politike.
Ndërkohë AIBA është arsyetuar se ka marrë garanci nga organizatori i Botërorit se do të mundësojë pjesëmarrjen e Kosovës. AIBA nuk paralajmëroi ndonjë gjobë ndaj Serbisë, por vetëm tha se do t’i njoftojë organizatorët e ngjarjeve të tjera ndërkombëtare në Serbi për situatën e krijuar. AIBA aktualisht është e pezulluar nga IOC-ja dhe rrjedhimisht diskriminimi ndaj Kosovës vetëm mund të keqësojë raportet ndaj dy organizatave sportive.
Nga ekipi i Shqipërisë fillimisht ishte thënë se nëse Kosova nuk do të lejohet të marrë pjesë, “kuqezinjtë” do të hiqnin dorë nga Botërori. Por boksierët e Shqipërisë morën pjesë, me arsyetimin se ishin paralajmëruar për dënime nga AIBA dhe se pjesëmarrja u ishte kërkuar nga Qeveria e Shqipërisë.
Në fund doli të jetë pjesëmarrje historike për Shqipërinë. Shqipëria për herë të parë ka fituar medalje në Botërorin e Boksit. Ishte Alban Beqiri që fitoi medaljen e bronztë në kategorinë deri 71 kilogramë. Ai është fishkëllyer sa herë që ka dalë për të boksuar, ndërsa është fishkëllyer nga shikuesit serb në “Shtark Arena” edhe të shtunën mbrëma, kur doli në skenë për të pranuar medaljen. Por Beqiri ka bërë të mundur që flamuri shqiptar të ngrihet lart në Beograd dhe ka marrë vlerësime të shumta për paraqitjen. Me një stil të veçantë, Beqiri ka kaluar rresht kundërshtarët, për t’u ndalur në gjysmëfinale. Për medaljen e bronztë, Beqirit i kanë takuar 25 mijë dollarë.
Boniface Maina i Kenisë, Saimonas Banys i Lituanisë, Eduardo Beckford i Panamasë dhe Zeyad Ishaish i Jordanisë pësuan humbje nga boksieri i Shqipërisë. Beqiri në gjysmëfinale u paraqit i lënduar, ndërsa humbi nga rusi Vadim Musaev.
“Ishte një paraqitje e mirë për sot. Ishte paraqitje me zemër dhe nuk jam ndalur së punuari për të arritur fitore”, kishte thënë Beqiri pas fitores ndaj Ishaishit, që ishte vlerësuar favorit.
Beqiri për herë të parë ka garuar në Botëror dhe ka arritur menjëherë sukses të madh. Boksierë shqiptarë garuan edhe për Maqedoninë e Veriut dhe Norvegjinë, por pa ia dalë të arrijnë te zona e medaljeve.
Si zakonisht në vitet e fundit në boksin amator e profesionist, ka pasur vlerësime kontroverse. Nga vendimet e dyshimta nuk janë përjashtuar as finalet.
Meçi i vlerësuar më i miri ishte ai i kategorisë deri 80 kilogramë në mes të amerikanit Rahim Gonzales dhe bjellorusit Aliaksei Alfiorau. Bjellorusi dominoi plotësisht dy raundet e para, ndërsa amerikanit iu numërua dy herë. Në raundin e tretë bjellorusi mbeti pa forcë dhe amerikani ishte dominues. Në fund, Gonzales u shpall fitues me vendim të ndarë të gjyqtarëve. Vendimi i gjyqtarëve nuk ndryshoi as pas ankesës nga bjellorusët dhe shqyrtimit që bëri AIBA. Ka pasur pakënaqësi të shikuesve në arenë dhe fishkëllima kur doli amerikani në podium.
Boksierët e Kubës kanë fituar tri medalje të arta e dy të bronzta për të dalë më të mirët e Botërorit. Kazakistani u rendit i dyti me dy të arta, dy të argjendta e një të bronztë. SHBA-ja i kishte dy të arta e dy të argjendta, ndërsa Japonia bëri histori me dy të arta. Nga një të artë e fituan ekipi i Rusisë, Azerbajxhani, Franca e Ukraina.
Gjithsej boksierë nga 25 shtete fituan medalje në Botëror. Garuan boksierë nga 88 shtete, ndërsa kampionët u shpërblyen me nga 100 mijë dollarë. Nënkampionëve u takuan nga 50 mijë dollarë.
Andy Cruz Gomez i Kubës u shpall boksieri më i mirë i Botërorit. Ai fitoi medaljen e tretë rresht të artë.
“Ju na keni treguar forcë, por na keni treguar edhe shumë më tepër: durim, respekt, miqësi dhe kurajë. Këto atribute janë shtylla të jetës sonë të përditshme, jo vetëm në boks. Pjesëmarrësit e këtij kampionati u bënë shembull për të gjithë ne”, ka thënë presidenti i AIBA-s, Umar Kremlev.
