Boksieri nga Shqipëria, Alban Beqiri, po synon më shumë se medaljen e bronztë në Kampionatin Botëror të Boksit Amator, që po mbahet në Beograd. Beqiri të martën mbrëma ka bërë histori duke siguruar medalje në Botëror, por ai dëshiron më shumë se kaq. Ai tashmë e ka të sigurt medaljen e bronztë pasi është kualifikuar në gjysmëfinale të kësaj ngjarjeje pas fitores në çerekfinale ndaj boksierit nga Jordania, Zeyad Eashash. Në gjysmëfinale Beqiri do të përballet me boksierin nga Rusia, Vadim Musaev. Meçi gjysmëfinal mes Beqirit e Musaevit do të mbahet të enjten.
“Jam i lumtur që tashmë kam bërë historinë duke e siguruar medaljen e bronztë. Mirëpo, synoj më shumë se kaq. E them këtë sepse jeta ime është boksi dhe për këtë kam sakrifikuar shumë”, ka thënë Beqiri të mërkurën, një ditë pasi e mposhti jordanezin Eashash në kategorinë deri 71 kilogramë.
Në meçin kundër Eashashit, Beqiri e humbi raundin e parë, por u kthye fuqishëm për t’i fituar dy raundet e tjera duke e siguruar fitoren dhe medaljen e bronztë. Ai triumfoi 4:1 ndaj jordanezit me vlerësimin e gjyqtarëve. Prej pesë anëtarëve të jurisë katër e vlerësuan Beqirin fitues (30:27, 30:27, 29:28 dhe 29:28), ndërsa vetëm njëri ishte në favorit të kundërshtarit të tij, Eashash (29:28). Në Botërorin që ka nisur javën e shkuar në Beograd, Beqiri deri më tani ka shënuar katër fitore dhe po synon edhe më shumë. Beqiri në meçin e parë të Botërorit ishte bindshëm më i mirë se boksieri nga Kenia, Boniface Maina, që e mposhti me rezultatin 5:0. Me të njëjtin rezultat Beqiri triumfoi edhe ndaj boksierit nga Lituania, Saimonas Banis. Në 1/8 e finales Beqiri ishte më i mirë se kundërshtari i tij nga Panamaja, Eduardo Beckford Chambers. Boksieri shqiptar e fitoi këtë meç me rezultatin 4:1 për t’u kualifikuar në çerekfinale dhe tani ai është në gjysmëfinale të Kampionatit Botëror, që do të mbyllet të shtunën. Në fakt, Beqiri ka pranuar se nuk e ka pritur një sukses të tillë për shkak të kohës së shkurtër të stërvitjeve, por ka insistuar se për asnjë moment nuk është dorëzuar dhe nuk e ka ndërmend të dorëzohet as në meçin e radhës, në të cilin do të futet me besim edhe më të madh.
“Me një javë e gjysmë stërvitje nuk prisja që të sigurojë medaljen e bronztë. Por, gjatë kohës sa po stërvitesha krijova vetëbesim të madh dhe fola me mendimin se mund t’ia dal mbanë, gjë që në fund ia dola”, ka insistuar Beqiri. “Falë besimit të madh në Zotin, që ma realizoi dëshirën, unë ia arrita qëllimit për të rrëmbyer një medalje midis Serbisë”.
Beqiri në secilin meç të Botërorit në Beograd është fishkëllyer nga turma e pranishme derisa po ngjitej në ring, por kjo nuk e ka penguar për asnjë moment boksierin nga Shqipëria që është treguar superior. Madje tifozët e kanë fishkëllyer edhe flamurin e Shqipërisë kur është shfaqur gjatë ceremonisë hapëse të kësaj ngjarjeje. Krahas Shqipërisë, edhe Kosova ishte paraqitur për pjesëmarrje në Kampionatin Botëror të boksit, por nuk iu lejua fare pjesëmarrja. Boksierët kosovarë tri herë janë ndalur në kufi me Serbinë. Për këtë kanë reaguar edhe AIBA e IOC-ja, por pa ndonjë masë për Serbinë deri më tani. Për këtë të hënën Komiteti Olimpik i Kosovës (KOK) ka deponuar ankesë zyrtare te Komiteti Olimpik Ndërkombëtar (KON). Kosova në këtë Botëror do të duhej të paraqitej me tre boksierë: Patriot Behramin, Shpëtim dhe Bashkim Bajokun
-
Beqiri mposhtet në gjysmëfinale, por kthehet me medalje nga Beogradi
-
Shqipëria siguron medalje në botërorin e boksit në Beograd
-
Përfundoi Botërori i boksit ku Kosova u diskriminua e Shqipëria shkroi histori
-
Dy fitore të shqiptarëve në ringun e Beogradit
-
Mundësi i Shqipërisë fiton medalje të bronztë botërore në Beograd