Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Shqipëria nis grumbullimin, Ismajli mungon në ndeshjen vendimtare

Kombëtarja e Shqipërisë në futboll ka nisur të dielën grumbullimin për ndeshjet me Çekinë dhe Bullgarinë. Ndeshja me Çekinë është të enjten prej orës 20:45 në “Air Albania” në Tiranë. Është ndeshje vendimtare për kualifikim në Euro 2024. Ndërkohë ndeshja me Bullgarinë zhvillohet më 17 tetor po ashtu në Tiranë. Është miqësore.

Të dielën kuqezinjve u janë bashkuar Etrit Berisha, Thomas Strakosha, Elhan Kastrati, Ylber Ramadani, Kristjan Asllani, Taulant Seferi, Nedim Bajrami dhe Frederic Veseli. Të tjerët do të grumbullohen deri të hënën. Pjesë e grupit të lojtarëve në të cilët llogarit selektori Sylvinho nuk do të jetë mbrojtësi i rëndësishëm, Ardian Ismajli.

“Departamenti i Komunikimit në FSHF bën me dije se mbrojtësi Ardian Ismajli është paraqitur në grumbullim dhe i është nënshtruar kontrollit nga stafi mjekësor kuqezi. Futbollisti ka pasur një tërheqje muskulore në kofshë në ndeshjen e fundit me Empolin dhe pas testeve mjekësore dhe konsultimeve është dalë në konkluzionin se ai nuk mund të jetë i gatshëm për dy ndeshjet e Shqipërisë. Kësisoj, Ismajli është kthyer në Itali pranë klubit dhe pas disa ditëve pushim do të nisë rikuperimin gradual për t’u rikthyer gradualisht në fushë“, ka njoftuar FSHF-ja.

Ismajli është startues i rregullt te kuqezinjtë dhe do të jetë mungesë e madhe për ndeshjen ndaj Çekisë.

Lojtarët që të dielën kanë udhëtuar për në Tiranë, kanë zhvilluar një stërvitje të lehtë nën urdhrat e selektorit Sylvinho.

Të hënën pasdite, Shqipëria zhvillon stërvitjen e radhës me grup të kompletuar të lojtarëve.

Edhe Ismajli largohet nga grumbullimi i Shqipërisë Futboll Ismajli largohet nga grumbullimi i Shqipërisë

Shqipëria udhëheq në grupin E të kualifikimeve për Euro 2024. Ka dhjetë pikë nga pesë ndeshje. Çekia është e dyta me tetë pikë nga katër ndeshje. Moldavia po ashtu i ka tetë pikë, por nga pesë ndeshje. Gjashtë pikë nga pesë ndeshje i ka Polonia.

Me fitore ndaj Çekisë, Shqipëria thuajse do ta siguronte kualifikimin në Evropianin e vitit të ardhshëm në Gjermani. Dy të parat në grup kualifikohen në Evropian.