Kombëtarja e Shqipërisë në futboll e ka zhvilluar të hënën pasdite stërvitjen e parë zyrtare në prag të ndeshjeve me Çekinë dhe Bullgarinë. Në fakt disa lojtarë të Shqipërisë kanë stërvitur edhe të dielën pasdite, por grumbullimi zyrtarisht nisi të hënën.
Shqipëria luan të enjten ndaj Çekisë ndeshjen vendimtare për kualifikim në “Euro 2024”. Ndërkohë ndeshja me Bullgarinë është miqësore dhe zhvillohet të dielën. Të dyja ndeshjet janë në Tiranë.
Federata Shqiptare e Futbollit ka njoftuar se përzgjedhësi Sylvinho ka pasur nën urdhra në stërvitjen e së hënës thuajse të gjithë lojtarët.
Gjatë stërvitjes grupit i është bashkuar Mirlind Daku, ndërsa në mbrëmje arriti edhe Myrto Uzuni. Mbrojtësi Ardian Ismajli është mungesa e vetme e konfirmuar deri më tani. Ismajli mungon për shkak të një lëndimi.
Në dyshim është mesfushori Klaus Gjasula.
“Sa i përket Gjasulës, djaloshi kuqezi vuan nga një infeksion në grykë dhe do t’u nënshtrohet kontrolleve mjekësore pranë klubit gjerman sonte dhe nesër në mëngjes. Pritet një përgjigje nga klubi i Darmstadtit të martën për atë nëse Gjasula do t’u bashkohet kuqezinjve në këto ndeshje apo do të mungojë”, ka njoftuar FSHF-ja.
Gjasula është mesfushor me përvojë që nuk është shfrytëzuar shumë në ndeshjet e fundit. Por përvoja e 33-vjeçarit vlerësohet me rëndësi për Sylvinhon.
Edhe
Broja ka një shqetësim fizik, stërvitet i vetëm
Në ndeshjet e fundit mesfushën e kanë përbërë Ylber Ramadani, Nedim Bajrami e Kristjan Asllani. Kjo treshe pritet ta ketë besimin e teknikut brazilian edhe në ndeshjen ndaj Çekisë.
Lojtarët kuqezinj që kanë pasur ndeshje me skuadrat e tyre të dielën kishin stërvitje më të lehtë të hënën. Ndërkohë pjesa tjetër e lojtarëve kishte ushtrime fizike dhe po ashtu një ndeshje kontrolli me lojtarët e Shqipërisë U19. Edhe Kombëtarja U19 është e grumbulluar në Tiranë.
Kombëtarja shqiptare vazhdon stërvitjet të martën.