Shqipëria ka nisur të hënën zyrtarisht grumbullimin për ndeshjen e rëndësishme që e luan këtë javë në kuadër të kualifikimeve për “Euro 2024”. Shqipëria të enjten prej orës 20:45 përballet me Çekinë në stadiumin “Air Arbania”, në ndeshjen që i takon Grupit E të kualifikimeve. Kombëtarja e Shqipërisë i prin grupit me 10 pikë dhe me fitore eventuale ndaj Çekisë, që është e dyta me tetë pikë dhe ka një ndeshje më pak të zhvilluar, do të bënte edhe një hap të madh drejt kualifikimit në Evropianin e vitit të ardhshëm.
Në konferencën e parë për shtyp të Shqipërisë, të hënën, janë paraqitur mesfushori Ylber Ramadani dhe sulmuesi Taulant Seferi. Të dy ndeshjen me Çekinë e kanë vlerësuar si finale, të cilën duhet patjetër ta fitojnë.
Në fakt grumbullimi i kuqezinjve nisi të dielën, por grupi i lojtarëve është kompletuar vetëm të hënën.
“Ndeshja në shtëpi është më ndryshe, pasi luajmë në fushën tonë, kemi tifozët tanë që na përkrahin shumë. Do të hyjmë më ndryshe në fushë, do të hyjmë për ta fituar ndeshjen. Çekët janë të dytët në grup, janë ekip shumë i fortë fizikisht. Ata janë treguar më të fortë se Polonia dhe normalisht që janë kundërshtari ynë”, ka thënë Ramadani.
Mesfushori i pandalshëm ka thënë se Shqipëria deri në fund të këtij cikli eliminator i ka edhe tri finale, por fokusi është tek e para me Çekinë.
Edhe
Shqipëria e kompletuar vazhdon përgatitjet për ndeshjen ndaj Çekisë
Pas ndeshjes me Çekinë, Shqipëria do të ketë punë me Moldavinë në udhëtim dhe Ishujt Faroe në shtëpi, duele këto që i zhvillon muajin tjetër. Mesfushori i Lecces ka pranuar se përballja me Çekinë nuk do të jetë aspak e lehtë.
“Është një ndeshje shumë e vështirë, nuk është ndeshje e lehtë, pasi kundërshtari është i fortë. Ka pësuar vetëm dy gola, por ne duhet të futemi në fushë vetëm me qasjen e duhur, pa eufori dhe ta bëjmë maksimumin e të marrim rezultatin pozitiv. Normalisht ne do të hyjmë në fushë për më shumë, pasi kemi tri finale dhe kjo është njëra prej tyre. Do hyjmë të japim maksimumin, pasi e dimë çfarë na pret po e morëm rezultatin pozitiv”, është shprehur Ramadani.
Edhe sulmuesi Seferi ka insistuar se i gjithë fokusi i Shqipërisë është te ndeshja me Çekinë. Pranoi se Çekia është një përfaqësuese shumë e fortë, por premtoi se “kuqezinjtë” do të japin maksimumin sikurse në ndeshjet tjera. Seferi shtoi se synimi është t’i marrin pikët e plota nga ky takim.
“Fokusi ynë është te ndeshja e radhës dhe besoj që energjia e lojtarëve është ajo e duhura. Ne kemi ardhur të përkushtuar e të fokusuar maksimalisht. Uroj që në këtë ndeshje të dalim me rezultat pozitiv dhe të shohim më pas ndeshjet e radhës. Shqipëria futet në lojë për të marrë maksimumin. Besoj që ne kemi grupin e duhur”, ka thënë Seferi.
Seferi insiston se Shqipëria ka disa gjëra më shumë se Çekia, të cilat do të shihen në fushë të enjten mbrëma. Tha se Shqipëria i ka tifozët dhe me përkrahjen maksimale të tyre do t’ia dalin. Prej tifozëve Seferi kërkoi të jenë të kujdesshëm dhe të mos hedhin gjëra në fushë sepse mund të dënohen nga UEFA.
“Shpirtin luftarak dhe zemrën. Tifozët. Me ta jemi më të fortë, kjo edhe për faktin që luajmë në shtëpi dhe na jep një shtysë edhe më të fortë neve si lojtarë. Po shfrytëzoj edhe rastin për një thirrje kundrejt tifozëve: Mos hidhni flakadanë sepse do na dënoni. Ne kemi nevojë për ju. Na duhet përkrahja juaj edhe në ndeshjet e radhës. Kini kujdes me hedhjen në fushë të flakadanëve apo sendeve të tjera”, tha Seferi.
Çekia ndaj Shqipërisë do të jetë pa sulmuesin kryesor, Patrik Schick që mungon për shkak të lëndimit. Mirëpo, Seferi tha se çekët nuk varen vetëm nga një lojtar pasi e kanë grupin e fortë.
Edhe
Kuqezinjtë llogarisin në përkrahjen e tifozëve për fitore ndaj Çekisë dhe Ukrainës
“Çekia është kundërshtari më i fortë i këtij grupi. Ka pësuar vetëm dy gola dhe nuk ka asnjë humbje. Çekia nuk është vetëm Schick. Janë një Kombëtare fizikisht e fortë dhe duhet të kemi kujdes. Por siç e thashë edhe më herët, ne duhet të lëmë shpirtin e zemrën në fushë në këtë ndeshje dhe shpresoj që t’ia dalim”, tha Seferi.
Shqipëria këtë muaj i luan dy ndeshje. Pas Çekisë, do ta zhvillojë miqësoren me Përfaqësuesen e Bullgarisë, ndeshje kjo që luhet të dielën, po ashtu në Tiranë.