Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Çekia i “frikësohet” duelit me Shqipërinë e motivuar në Tiranë

Te Përfaqësuesja e Çekisë kanë pranuar se i frikësohen duelit në Tiranë me Shqipërinë e motivuar. Këtë e ka theksuar edhe vetë përzgjedhësi i Çekisë, Jaroslav Shilhavy, në një intervistë të hënën për mediumet çeke.

Dueli mes Shqipërisë dhe Çekisë zhvillohet të enjten prej orës 20:45 në stadiumin “Air Albania” në Tiranë. Ndeshja i takon Grupit E të kualifikimeve për “Euro 2024”.

Shilhavy ka thënë se e kanë parasysh se Shqipëria është maksimalisht e motivuar para ndeshjes dhe se do ta ketë përkrahjen e fuqishme të tifozëve. Biletat për ndeshjen Shqipëri - Çeki janë shitur brenda pak orëve, pasi interesimi ishte jashtëzakonisht i madh.

Fitorja eventuale ndaj çekëve do të bënte që “kuqezinjtë” e Sylvinhos t’i afroheshin edhe më shumë kualifikimit në Evropianin e vitit të ardhshëm që mbahet në Gjermani. Shqipëria i prin grupit me 10 pikë por ka një ndeshje më shumë se Çekia që renditet e dyta me 8 pikë të mbledhura. Pas ndeshjes me Çekinë, Shqipëria i ka edhe dy ndeshje deri në fund të këtij cikli eliminator, me Moldavinë dhe Ishujt Faroe, muajin e ardhshëm.

“Më duhet t’i bind lojtarët se janë të mirë, të fortë, të kenë vetëbesim dhe se duam të avancojmë tutje. Kjo është jashtëzakonisht e rëndësishme për ne. Nëse nuk besojmë në veten tonë, atëherë do të na ‘hanë’ në Shqipëri”, është shprehur Shilhavy. “Duhet të përgatitemi mirë dhe vetëm si ekip i bashkuar mund të kemi sukses në këtë ndeshje. Këtë e kanë parasysh të gjithë lojtarët”.

Edhe Çekia e vendosur për fitore në Tiranë Sport Çekia e vendosur për fitore në Tiranë

Për shkak të atmosferës së stuhishme që thotë se i pret në Shqipëri, Shilhavy thekson se është i emocionuar por njëkohësisht edhe i shqetësuar dhe i nervozuar. Megjithatë, beson se futbollistët çekë mund ta përballojnë një atmosferë të zjarrtë, e cila do të jetë avantazh i madh për Shqipërinë. Shilhavy insiston se gjatë këtyre ditëve do të përgatiten maksimalisht dhe do të jenë gati.

“Kanë mbetur edhe pak ditë deri te ndeshja dhe nervozizmi është normal, duke pasur parasysh se sa e rëndësishme është kjo ndeshje. E kemi parasysh se atmosfera do të jetë e stuhishme pasi në Shqipëri interesimi ka qenë jashtëzakonisht i madh dhe njerëzit janë temperamentë atje. Por, futbollistët kanë përvojë në garat e Evropës dhe mund ta luajnë para 50 mijë tifozëve. Mendoj se janë në gjendje ta bëjnë këtë edhe pse nuk e mohoj që ambienti vendas do të jetë një avantazh i madh për kundërshtarët”, është shprehur Shilhavy.

Ndeshja e parë mes këtyre dy përfaqësueseve, e luajtur muajin e shkuar në Çeki, ka përfunduar me rezultatin 1:1.

Shilhavy ka thënë se ekipi i tij nuk guxon t’i përsërisë gabimet që i pati në atë ndeshje duke i mundësuar Shqipërisë të barazojë rezultatin.

“Bëmë gabime të shumta, sidomos në pjesën e parë. Pasime të gabuara, duele të humbura dhe pothuajse nuk ishim fare të lëvizshëm në fushë, gjë që na kushtoi me barazim. E një gjë e tillë nuk guxon të na ndodhë për herën e dytë. Pres të jemi më kompakt dhe më të përgjegjshëm”, shtoi selektori çek.

Shilhavy tashmë ua ka bërë me dije futbollistëve se nuk duhet të bëjnë paraqitjen e njëjtë në Tiranë.

Edhe Shqipëria e kompletuar vazhdon përgatitjet për ndeshjen ndaj Çekisë Futboll Shqipëria e kompletuar vazhdon përgatitjet për ndeshjen ndaj Çekisë

Çekia të martën nis përgatitjet për duelin me Shqipërinë, ndërsa të mërkurën stërvitjen e fundit do ta mbajnë në Tiranë.

“Të martën do të jetë dita e vetme ku do të mund të përgatitemi në aspektin taktik dhe të përmirësojmë disa gjëra. Të mërkurën do të jemi në Tiranë për stërvitjen e fundit para ndeshjes. Mirëpo, futbollistëve u kam treguar video të mjaftueshme për t’ua bërë me dije se gabimet e ndeshjes së parë nuk duhet assesi të përsëriten”, është shprehur Shilhavy.