Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Çekia e vendosur për fitore në Tiranë

Përfaqësuesja e Çekisë ka udhëtuar drejt Tiranës me një qëllim të vetëm, ta mposhtë Shqipërinë në ndeshjen kualifikuese për “Euro 2024”. Kështu, ka paralajmëruar selektori i Çekisë, Jaroslav Shilhavy në konferencën për shtyp të mërkurën.

Ai insistoi se ekipi i tij është maksimalisht i motivuar dhe se tashmë ka përgatitur skemën, e cila Çekisë do t’ia sigurojë fitoren. Ndeshja mes Shqipërisë dhe Çekisë, do të zhvillohet të enjten prej orës 20:45 në stadiumin “Air Albania” në Tiranë dhe i takon Grupit E. Shqipëria është e para në grup me 10 pikë, dy më shumë se Çekia, e cila një ndeshje më pak të zhvilluar.

“Ne kemi ardhur këtu për një rezultat pozitiv dhe skema me të cilën do të luajmë do të vendoset në fund, por do të jetë një skemë që ne mendojmë që do të na sjell rezultat. Në lojë janë tri pikë për t’u kualifikuar dhe ne do të luajmë për ato tri pikë”, tha Shilhavy.

Ai pranoi se Shqipëria ka ekip të mirë dhe se do ta ketë përkrahjen e fuqishme të tifozëve, por shtoi se Çekia ka përvojë në ndeshje të tilla, të cilat gjithmonë i ka fituar. Shilhavy ka thënë se barazimi në ndeshjen e parë, ka bërë që dueli në Tiranë të jetë i vështirë. Megjithatë, ai ka besim të madh në ekipin e tij dhe është i bindur se në Çeki do të kthehen me fitore.

“Në ndeshjen e parë, ne kemi parë lojtarë shumë cilësorë të Shqipërisë, duke nisur nga mbrojtja. Jemi të informuar mbi Shqipërinë, kundërshtari ynë ka shumë besim në vetvete dhe kjo është diçka e veçantë”, është shprehur Shilhavy. “Unë besoj se skuadra jonë është me përvojë të tillë dhe e ka treguar se në ndeshje të tilla të vështira ku luhet për jetë a vdekje i ka vlerësuar dhe ia ka dalë të fitojë. Unë e vlerësoj dhe e shikoj që këtu atmosfera për ekipin shqiptar është shumë e lartë, por shpresoj që do arrimë të fitojmë”.

Optimizmin e tij para ndeshjes me Shqipërinë, e ka shprehur edhe kapiteni i Çekisë, mesfushori Thomas Soucek, i cili është pjesë e West Ham Unitedit. Soucek ka thënë haptazi se Çekia do të dalë në fushë për fitore dhe se nuk do të pajtohet me asnjë rezultat tjetër, përveç tri pikëve.

“Ne kemi ardhur që të fitojmë. Cilësinë e ndeshjes së parë e kemi parë, aftësitë që kanë, por kemi ardhur që të marrim tre pikë këtu. Sinqerisht, kemi ardhur për të fituar. Edhe në ndeshjen e parë dëshira ishte shumë e madhe për të fituar, pavarësisht se shqiptarët ishin më aktivë në një moment. Më besoni që të gjithë djemtë janë të angazhuar maksimalisht për të fituar një ndeshje tjetër”, është shprehur Soucek.

Edhe Soucek pati lëvdata për Shqipërinë dhe shtoi se e kanë mirë parasysh edhe përkrahjen që “kuqezinjtë” do ta kenë edhe nga tribunat. Madje, shtoi se atmosfera në stadiumin “Air Albania” do ta motivojë Çekinë për ta kërkuar fitoren ndaj Shqipërisë.

“Ekipi shqiptar e tregoi kualitetin që ka edhe në Çeki para tifozëve tanë, kanë cilësi të veçanta, janë lojtarë që luajnë në kampionate të njohura evropiane”, u shpreh Soucek. “Atmosfera është diçka që ne duhet të mundohemi ta kthejmë në avantazh për futbollin tonë. E dimë atmosferën që do jetë fantastike. Është atmosferë që personalisht e vlerësoj, e kam shumë qejf dhe mendoj se do të na motivojë më shumë”.

Pas ndeshjes me Çekinë, Shqipëria do t’i luajë edhe dy duele të tjera por muajin e ardhshëm, kur edhe do të përfundojë ky cikël eliminator. Fitorja eventuale ndaj Çekisë, do të jetë edhe një hap tjetër i madh drejt kualifikimit në Evropianin e vitit të ardhshëm që mbahet në Gjermani. Tri ditë pas duelit me Çekinë, Shqipëria luan miqësoren me Bullgarinë, po ashtu në Tiranë. Ndërkohë, muajin tjetër do të përballet me Moldavinë (17 nëntor) në udhëtim dhe Ishujt Faroe (20 nëntor) në shtëpi.

Artikuj të ngjashëm