Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Shqipëria lë anash problemet, fokusohet te ndeshja me Izraelin

Me bindjen se kanë ndryshuar nga paraqitjet dëshpëruese në tri miqësoret e fundit, futbollistët e Kombëtares së Shqipërisë janë plot besim se do të dalin fitues përballë Izraelit.

Shqipëria i humbi tri miqësoret e fundit. Në mars humbi nga Norvegjia (1:0), në maj nga Kosova (3:0) dhe në qershor nga Ukraina (4:1). Në Kombëtaren e Shqipërisë premtojnë se problemet që u janë shfaqur gjatë miqësoreve të fundit do t'i përmirësojnë në ndeshjen kundër Izraelit, transmeton Koha Ditore.

Shqipëria të premten në stadiumin "Elbasan Arena" do ta zhvillojnë ndeshjen e parë në Ligën e Kombeve kundër Izraelit, kurse më 10 shtator do të luajë kundër Skocisë në stadiumin e Glasgowit. Shqipëria është në Ligën C të Ligës së Kombeve, përkatësisht në nivelin e tretë.

"Kemi ndryshuar shumë pas ndeshjeve të fundit, të cilat nuk shkuan mirë. Por atëherë kishte shumë faktorë, si pushimet, apo gjendja e ngarkuar fizike e shumë lojtarëve. Duhet t'i harrojmë sa më shpejt ato ndeshje dhe të përqendrohemi maksimalisht te sfida e së premtes. Nuk duhet të mendojmë të kaluarën dhe duhet të jemi të qetë. Të fokusohemi te kjo mundësi që kemi për të shkuar në evropian. Nuk duhet t'i falim më minuta Izraelit, siç bëmë këtu në ndeshjen e parë në eliminatoret e botërorit. Ajo që duhet të bëjmë tani është vetëm të përqendrohemi. E dimë ku duhet të përmirësohemi dhe për këtë po punojmë. Të gjithë duhet të kemi një gjë në tru, kualifikimin në evropian. Do të ishte një gjë e madhe dhe entuziazmi nuk na mungon", ka thënë mbrojtësi i krahut, Elseid Hysaj, në një konferencën për media, të mërkurën.

Shqipëria është duke u përgatitur në Durrës për dy ndeshjet e grupit të parë të Ligës C. (Më gjerësisht mund të lexoni sot në Koha Ditore).