Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Shqipëria bazohet në përvojë për nismë të mbarë

Koha për eksperimente ka mbaruar. Testimi i lojtarëve të rinj po ashtu. Tani Kombëtarja e Shqipërisë në futboll duhet të jetë në formën më të mirë për të nisur pozitivisht garimin në Ligën e Kombeve të UEFA-s. Për këtë është i vetëdijshëm përzgjedhësi Christian Panucci.

"Shpresojmë që nesër ta shohim Shqipërinë e vërtetë", ka thënë Panuuci të enjten mbrëma në konferencë për shtyp.

Kombëtarja të premten (sot) prej orës 20:45 luan ndaj Izraelit në Elbasan. Kombëtarja garon në Ligën C të Ligës së Kombeve, që është niveli i tretë, derisa Kosova është në Ligën D, përkatësisht në nivelin e katërt, transmeton Koha Ditore.

Shqipëria është në grupin e parë ku bën pjesë edhe Skocia. Me Skocinë "kuqezinjtë" luajnë menjëherë të hënën në Glasgow, por tekniku italian është i koncentruar vetëm në ndeshjen ndaj Izraelit. Fillimi me fitore vlerësohet shumë i rëndësishëm për kombëtaren. Fitorja eventuale do të fitonte në peshë, pasi kombëtarja po synon të lërë pas një periudhë të vështirë, me humbje rresht.

Shqipëria ka humbur tri ndeshjet e këtij viti. Në mars pësoi 1:0 në miqësore nga Norvegjia. Në fund të majit po në miqësore u "rrah" 3:0 nga Kosova, ndërsa në fillim të qershorit gjendja u bë edhe më e rëndë kur reagimi i pritur nuk ndodhi. Ukraina mposhti kuqezinjtë me shifrat 4:1.