Te Kombëtarja e Shqipërisë shpresojnë të kenë lënë pas periudhën e vështirë dhe të fillojnë mbarë kualifikimet për “Euro 2020”.
“Kuqezinjtë” të premten (sot, 20:45) në “Loro Boriçi” të Shkodrës, takohen me Turqinë, që po ashtu ka pasur krizë rezultatesh së fundi, shkruan sot “Koha Ditore”.
Ndeshja Shqipëri - Turqi është e para e Grupit H të eliminatoreve për Evropianin e ardhshëm të futbollit. Në termin të njëjtë luhen edhe takimet Andorra - Islanda e Moldavia - Franca. Synim i Shqipërisë është vendi i dytë në grup, që do t'ia siguronte paraqitjen në Evropian për herë të dytë.
Kombëtarja ka debutuar në ngjarjen e madhe evropiane në vitin 2016 kur ndonëse nuk kaloi grupin, la përshtypje të mirë. Por përshtypje të mirë nuk ka lënë vitin e kaluar kur pati fushatë të pasuksesshme në Ligën e Kombeve.
Pasi fitoi ndaj Izraelit, Shqipëria pësoi dy herë nga Skocia e një herë nga izraelitët. As miqësoret nuk i shkuan në favor. Pësoi nga Norvegjia, Kosova e Ukraina, ndërsa ka mposhtur Uellsin dhe ka barazuar me Jordaninë. Dhe tash për të përzgjedhurit e Christian Panuccit vjen koha e rëndësishme, e dëshmimit të vlerave në kualifikime. Panucci ka përsëritur të enjten në konferencë për shtyp se synim është fitorja.
Edhe
Shqipëria gati për betejën në Stamboll
“Unë jam pozitiv dhe skuadra është e përgatitur. Skuadra ka kualitet, siç ka edhe Turqia. Jam i bindur që mund të arrijmë një fitore, por gjithçka mbetet për t'u parë nesër. Duhet të japim maksimumin në fushën e lojës”, ka thënë italiani Panucci.
(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)