Futbolli në Maqedoninë e Veriut është në moment të ndritur. Përfaqësuesja e këtij vendi fqinj ka siguruar pjesëmarrjen në ngjarjen e parë të madhe – Evropianin që mbahet në verë. Po ashtu, e ka mposhtur Gjermaninë në ndeshjen e fundit, 2:1, më 31 mars në Duisburg. Futbollistët e Maqedonisë së Veriut po paraqiten në nivele gjithnjë e më të larta.
Dhe në këtë moment të ndritur po dallohet edhe Shkëndija e Tetovës, klubi që në një mënyrë është “katalizator” i zhvillimit të futbollit shqiptar në Maqedoni të Veriut.
Skuadra shqiptare nga Tetova të dielën e siguroi titullin e kampionit të Maqedonisë së Veriut për edicionin 2020/2021. Te titulli tetovarët arritën katër xhiro para fundit.
Në kuadër të javës së 29-të, Shkëndija fitoi me rezultat 3:1 ndaj Borecit. Besart Ibraimi, Rubin Hebaj dhe Mevlan Murati shënuan golat e fitores. Nëntë futbollistë shqiptarë startuan për Shkëndijën, që është njëra prej katër skuadrave shqiptare në kampionatin e Maqedonisë së Veriut.
Shkupi është i dyti, Struga e katërta, ndërsa Renova e dhjeta. Kjo pozitë në fund dërgon në plejaut.
Për Shkëndijën është titulli i katërt i kampionit. Të parin e kishte fituar në vitin 2011. E para doli edhe në vitin 2018, e po ashtu në vitin 2019. Vjet kampionati nuk shkoi deri në fund, por Vardari u shpall kampion. Skuadra tetovare ka edhe dy kupa të Maqedonisë së Veriut, ndërsa ka humbur tri finale.
Shkëndija ka bërë hapa para edhe në skenën evropiane. Ka debutuar në edicionin 2011/12. Në edicionin 2016/17 të Ligës së Evropës arriti deri në fazën e plejofit, duke kaluar tre kundërshtarë. Deri në të njëjtën fazë arriti edhe një edicion më vonë, kur u ndal nga Milani i famshëm. Nga Red Bull Salzburgu u ndal në raundin e tretë kualifikues të Championsit në edicionin 2018/19, e më pas edhe nga Rosenborgu në plejof të Ligës së Evropës. Në edicionin aktual të Ligës së Evropës u ndal në raundin e tretë kualifikues. Humbi nga Tottenhami i famshëm 3:1.
Tani Shkëndija do të luajë në raundin e parë kualifikues të Ligës së Kampionëve.
Shkëndija është themeluar vetëm në vitin 1979. Prej fillimit është identifikuar si klub shqiptar.
“Ishte viti 1979 kur në Tetovë ngado që lëvizje dëgjohej lajmi që do të themelohej një klub futbolli me emrin ‘Shkëndija’. Pra, një klub futbolli me emërtim në gjuhën shqipe, i cili në emblemën dhe fanellën e tij do t’i kishte ngjyrat e flamurit kombëtar, ngjyrat kuqezi. Ideja për themelimin e klubit rrodhi nga intelektualë e sportdashës të guximshëm tetovarë dhe nga entuziazmi i rinisë së kësaj ane. Iniciativat e këtilla me taban kombëtar në këtë periudhë kohore ishin të vështira, sepse regjimi jugosllav jo vetëm që ishte diskriminues, por kishte fobi ndaj çdo gjëje me elemente kombëtare shqiptare”, shkruan në historinë e Shkëndijës, të publikuar në faqen zyrtare.
Shkëndija nisi në ligën komunale të Tetovës, ndërsa në vitin 1981 nga regjimi i atëhershëm klubit iu ndalua funksionimi. Ringritja e klubit ndodhi në vitin 1992, në rrethana të tjera. Garimin skuadra e nisi prapë në ligë komunale. Gradualisht kaloi në ligën e tretë e të dytë, ndërsa në vitin 1996 avancoi në elitën e Maqedonisë. Kontribut në këtë ngritje të Shkëndijës kanë dhënë edhe trajnerët kosovarë, Ajet Shosholli e Hysni Maxhuni.
Shkëndija ka lëvizur mes ligës së parë dhe të dytë, ndërsa është përballur me kriza të rënda. Ato i ka mbijetuar, ndërsa nisën të vijnë edhe sukseset e mëdha. Klubi fitoi shumë në profesionalizëm, por edhe në stabilitet, kur udhëheqjen e tij e mori kompania “Ecolog”, përkatësisht Lazim Destani, në edicionin 2013/14. Prej atëherë Shkëndija shquhet për profesionalizëm dhe për organizim të nivelit të lartë. Dhe sukseset nuk mungojnë.
Të dielën lojtarët dhe drejtuesit e Shkëndijës kanë festuar afër stadiumit të qytetit në Tetovë, të shoqëruar me qindra tifozë “Ballistë”.