Dy gola nga gjashtë sa i shënoi në total Winterthuri kundër Baselit u realizuan nga futbollisti shqiptar, Samir Ramizi. Një gol për Winterthurin e kategorisë së dytë zvicerane e shënoi edhe lojtari i Kosovës U21, Gëzim Pepsi.
Me kontributin e madh të Ramizit e Pepsit, Winterthuri eliminoi gjigantin zviceran, Baselin, nga Kupa e Zvicrës, duke ia shkaktuar një disfatë të thellë 6:2 të mërkurën mbrëma.
Njëri ndër lojtarët më të mirë në fushë, Samir Ramizi, që përveç dy golave dhuroi edhe një asistim, i ka thënë KOHËS se triumfi i thellë ka ardhur si rezultat i lojës së mirë si ekip. Ai nuk ka folur shumë për golat e bukur. Ramizi shprehet se me rëndësi është që ekipi ka kaluar në çerekfinale.
“Ka qenë ndeshje e Kupës, ku kemi bërë një performancë shumë të mirë si ekip. Gjithçka ka funksionuar shumë mirë dhe patjetër që jemi shumë të kënaqur me paraqitjen që kemi pasur. Unë e ndihmova ekipin me dy gola dhe jam i lumtur që kontribuova që të arrijmë fitore dhe të kualifikohemi tutje”, tha Ramizi.
Dueli i së mërkurës ishte përballje mes shumë shqiptarëve që luajnë për klubet zvicerane. Te Winterthuri, përveç Samir Ramizit dhe Gëzim Pepsit, luajtën edhe Lindrit Kamberi dhe Granit Lekaj. Që të gjithë ishin titullarë. Në anën tjetër, Baseli kishte në radhët e veta Edon Zhegrovën, që luajti gjatë gjithë ndeshjes, si dhe Pajtim Kasami e Orges Bunjaki, që po ashtu ishin titullarë. Kurse në bankën e rezervistëve të Baselit ishte Alban Hajdari, derisa mungoi Taulant Xhaka. Kasami realizoi një gol.
Samir Ramizi thotë se i njeh të gjithë lojtarët shqiptarë të Baselit. Tregon se te skuadra e Winterthurit flasin shqip me lojtarët shqiptarë.
“Te Baseli ka shumë shqiptarë të cilët i njoh, por që nuk kam shumë kontakte me ta. Sigurisht janë lojtarë dhe djem të mirë të cilëve u uroj suksese. Edhe në ekipin tonë ka shumë lojtarë shqiptarë dhe e kalojmë shumë mirë. Madje, flasim shqip gjatë tërë kohës”, u shpreh 29-vjeçari.
Winterthuri bën gara në kategorinë e dytë të futbollit zviceran. Me përvojën që ka, Ramizi beson se mund ta ndihmojë ekipin zviceran që të inkuadrohet në Superligën e Zvicrës.
“Për momenti jemi mirë, edhe pse kemi mundur të jemi më lart në renditje. Por, besojmë se do të bëjmë më mirë në ndeshjet e radhës. Kam përvojë në futbollin zviceran. Synimet me skuadrën ku luaj janë që të futemi në Superligë. Do të shohim se si do të luajmë në ndeshjet e radhës, por shpresoj që në fund do ta arrijmë qëllimin që kemi”, deklaroi Ramizi.
Samir Ramizi ka shënuar vetëm një gol në Challenge League këtë sezon, si dhe dy në Kupë. Pjesë e Winterthurit është që nga gushti i vitit të kaluar, kur u transferua nga Xamaxi dhe ka kontratë deri në verën e vitit 2022.
Në Zvicër ka luajtur për disa skuadra në Superligë dhe në Challenge League. Ka veshur fanellat e klubeve Stade Nyonnais, Servette, Etoile Carouge, Wohlen dhe Xamax. Kurse në Kosovë ishte pjesë e Ditës dhe Drenicës.
Në Superligën e Zvicrës ka zhvilluar 65 ndeshje duke realizuar tre gola dhe nëntë asistime, kurse në Challenge League në 159 ndeshje ka shënuar 27 gola dhe ka bërë edhe 25 asistime.
Winterthuri zë vendin e pestë në renditje me 28 pikë, pas 19 ndeshjeve të luajtura. Ka nëntë pikë më pak sesa Thuni që është i dyti, pozita që në fund të kampionatit siguron plejofin për futje në Superligën e Zvicrës. Po ashtu, Winterthuri ka edhe një ndeshje më pak të luajtur sesa Thuni.