Sport

Shkëlqimi i Kryeziut te lideri zviceran

Mirlind Kryeziu për kohë të gjatë ka qëndruar më i tërhequr. Në skenën e madhe doli në stinorin vjeshtor të edicionit aktual, 2021/2022. Doli fuqishëm.

Shtatlarti ishte lider i mbrojtjes së Zuerichut, që dimëron në pozitën e parë në Superligën e Zvicrës në futboll. Zuerichu në 18 ndeshje ka mbledhur 40 pikë, shtatë më shumë se Baseli dhe tetë më shumë se Young Boysi.

Te Zuerichu ende nuk e thonë zëshëm se janë për titull të kampionit. Ndërkohë, mbrojtësi kosovar vlerëson paraqitjet që kishte, por edhe ai shprehet i matur.

Së fundi ishte raportuar se Kryeziu mund ta vazhdoj karrierën në Serie A. Por ai do të mendojë mirë para se ta bëjë hapin e ardhshëm në karrierë.

24-vjeçari është i lindur në Zuerich dhe është rritur te skuadra me emrin e njëjtë. Edicionin 2015/16 e kaloi huazim te Biel-Bienne në kategorinë e dytë helvetike. Më pas u kthye te Zuerichu, por vazhdimisht ishte në “luftë” për hapësirë. Në shkurt të këtij viti u huazua te Kriensi i kategorisë së dytë zvicerane. I luajti dhjetë ndeshje.

Në verë u kthye te Zuerichu dhe tani është titullar i padiskutueshëm. Zuerichu luan me tre mbrojtës në vijën e fundit, ndërsa Kryeziu është në qendër.

“Për momentin të gjithë në skuadër jemi të kënaqur. Kemi pasur një stinor të mirë, por ende nuk ka përfunduar asgjë. Jemi në gjysmë të rrugës. Edhe për mua personalisht ishte një stinor i mirë. Pasi jam kthyer te Zuerichu, kam folur me trajnerin e ri, që më ka premtuar se do të ma jep shansin. Ai ka thënë se unë i përshtatem mbrojtjes me tre lojtarë dhe më ka premtuar hapësirë. Fazën përgatitore e kisha të mirë e më pas edhe kampionatin”, ka theksuar Kryeziu të hënën për KOHËN.

Ai ka ardhur për pushime në Prishtinë, para se t’iu kthehet stërvitjeve me skuadrën e njohur zvicerane.

Kryeziu ka theksuar se nuk kanë dashur të flasin për synimet, ndërsa ndeshjet i kanë marrë një nga një. Edhe tani, ndonëse kanë epërsi ndaj përcjellësve, te Zuerichu e marrin më të matur garën për titull. Zuerichu në edicionin 2016/17 ishte në kategorinë e dytë helvetike dhe ende është në rrugë për kthim në majë të futbollit zviceran. Titullin e fundit e ka fituar në vitin 2009.

“Për momentin gjendja është e mirë, por nuk po duam të japim fjalë të mëdha. Kemi përparësi ndaj Baselit e Young Boysit. Por të shohim, është edhe pjesa e dytë”, ka theksuar Kryeziu.

Ai pranon se një pikë e rëndësishme ishte huazimi te Kriensi. Kalimi në kategorinë e dytë ishte hap prapa, por te Kriensi luajti disa ndeshje dhe pasi u kthye te Zuerichu u “shpërblye” me vend të titullarit.

Kryeziu ka kompletuar 17 prej 18 ndeshjeve. Në një ndeshje ishte i pezulluar për shkak të kartonëve. Po ashtu, ka shënuar tri gola dhe ka bërë një asistim.

Kryeziu luan përkrah Fidan Alitit, reprezentuesit tjetër të Kosovës. Lindrit Kamberi është mbrojtës rezervist, që ka fituar rastin në disa ndeshje. Në mesfushë luajnë Blerim Xhemaili e Bledian Krasniqi. Futbollistët shqiptarë ka kohë që ishin të rëndësishëm te Zuerichu dhe kjo po vazhdon edhe këtë edicion.

Genoa është raportuar të jetë klubi i interesuar për Kryeziun.

“Kontrata aktuale me Zuerichun më skadon në verë. Tani hapet afati kalimtar i janarit, skuadra është në pozitë të mirë dhe natyrisht që ka raportime për ndonjë transferim. Por diçka konkrete ende nuk ka. Unë duhet të mendoj mirë para se ta bëj hapin e ardhshëm në karrierë. Nuk e di nëse hapi i ardhshëm do të jetë një kontratë e re me Zuerichun apo çka. Por është me rëndësi që me trajnerin e ri kam raporte shumë të mira dhe po ndihem shumë mirë”, ka theksuar mbrojtësi qendror.

Që nga nëntori i vitit 2018, Kryeziu është grumbulluar me Kosovën. Në atë periudhë Kosovës po i ecte mirë dhe Kryeziu mbetej në stol. Pak luajti ndaj Gjeorgjisë më 2 shtator, ndërsa një pjesë e luajti në miqësoren ndaj Jordanisë, më 10 nëntor.

“Ftesës së Kosovës i jam përgjigjur vazhdimisht. Por asnjëherë nuk kam ardhur me idenë se duhet patjetër të luaj, të jem në formacionin bazë. Të gjithë natyrisht synojnë të luajnë, por i mbetet trajnerit të vendosë për njëmbëdhjetëshen më të mirë. Unë gjithnjë kam qenë i gatshëm dhe vazhdoj të jem i gatshëm. Tani që po luaj rregullisht dhe që jemi në vendin e parë natyrisht se situatën e kam më të mirë. Por prapë i mbetet trajnerit të vendosë”, ka theksuar Kryeziu.