Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Mbrojtësi i Kosovës vazhdon kontratën me liderin zviceran

Mirlind Kryeziu është shpërblyer për formën e mirë që po e kalon këtë edicion. Mbrojtësi shtatlartë të martën ka vazhduar kontratën me Zuerichun, që po marshon drejt titullit të kampionit në Zvicër.

Kontrata e vjetër e 25-vjeçarit përfundoi në qershor të këtij viti. Ai e ka vazhduar kontratën me Zuerichun edhe për tri vjet dhe do të jetë në këtë skuadër deri në vitin 2025.

Kryeziu është rritur te Zuerichu, ndërsa kontratën e parë profesionale e kishte nënshkruar në vitin 2017. Deri më tani ka luajtur 84 ndeshje garuese për Zuerichun, ndërsa ka shënuar pesë gola dhe ka bërë tri asistime.

Ai ka kompletuar 22 prej 23 ndeshjeve të deritashme në Superligën helvetike. Ka shënuar tri gola dhe ka bërë një asistim. Është shquar me stabilitet në qendër të mbrojtjes, ndërsa në një ndeshje ka munguar për shkak të kartonëve.

Te Zuerichu janë shprehur të lumtur për vazhdimin e kontratës me mbrojtësin e Kosovës. Kryeziu i ka dy paraqitje për Kosovën. Në të kaluarën ka luajtur për grupmoshat e reja të Zvicrës, nga U16 e deri në U20.

“Mirlindi ka vazhduar të zhvillohet dhe falë kualiteteve të tij të futbollit dhe personalitetit që ka, është shndërruar në top-lojtar. Jam i lumtur që bashkëpunimi ynë do të vazhdojë. Mirlindi do të mbetet pjesë e rëndësishme e ekipit tonë”, ka thënë udhëheqësi sportiv i Zuerichut, Marinko Jurendiq.

Edhe Kryeziu e Zurichu në bisedime për vazhdimin e kontratës Sport Kryeziu e Zurichu në bisedime për vazhdimin e kontratës

Kryeziu ka pasur periudha huazimi te Biel-Bienne dhe te Kriensi, që i kanë shërbyer për t’u pjekur si lojtar.

Zuerichu po udhëheq në Superligën e Zvicrës me 53 pikë, dhjetë më shumë se Young Boysi. Pjesë e rëndësishme e Zuerichut janë edhe Fidan Aliti, Blerim Xhemaili, Bledian Krasniqi e Lindrit Kamberi.

Zuerichu ka 12 tituj të kampionit të Zvicrës. Të fundit e ka fituar në vitin 2009.