Sport

Shkëlqeu ndaj Zvicrës, Dardan Kapiti beson se Kosova mund ta fitojë grupin

Dardan Kapiti ka dhënë kontribut të rëndësishëm në fitoren bindëse të Kosovës ndaj Zvicrës, të mërkurën në Prizren. Në fitoren 76:49, 23-vjeçari kontribuoi me 11 pikë, gjashtë kërcime e dy bllokada.

Shtatlarti (205 cm), që luan afër koshit, startoi te Kosova dhe në parket i kaloi 26 minuta. Fitorja ndaj Zvicrës ishte shumë me rëndësi për Kosovën. Erdhi në nismë të raundit të tretë parakualifikues për Eurobasket 2025. Të mërkurën e ardhshme, Kosova luan në udhëtim ndaj Danimarkës. Danimarka të shtunën fitoi 60:46 ndaj Zvicrës.

Rrjedhimisht, gara për pozitën e parë në grup pritet të zhvillohet mes Danimarkës dhe Kosovës.

“Jam shumë i kënaqur me paraqitjen individuale. Por paraqitja individuale nuk ka rëndësi. E rëndësishme është fitorja që kemi arritur”, ka thënë Kapiti për KOHËN.

Ai tashmë është prej lojtarëve kryesorë të Kosovës. Por zhvillimi i Kapitit është larg përfundimit. Ai ka disa vjet që karrierën e zhvillon në SHBA. Aktualisht është pjesë e Eastern Kentucky University në NCAA.

Ai është kthyer pas një kohe të gjatë te Kosova.

“Kam ardhur për ta ndihmuar përfaqësuesen. Kështu që do të bëj çdo gjë që është e nevojshme. Në grumbullimet e kaluara nuk kam pasur mundësi të jem pjesë e Kosovës. Jo që ka munguar dëshira, por pasi nuk më ka lejuar shkolla në SHBA”, ka thënë Kapiti.

Ai tashmë ka shtatë ndeshje me Kosovën. Gjashtë i kishte luajtur në vitin 2019, në kualifikimet për Evropian dhe për Botëror. Por nuk e kishte peshën që e ka tani.

“Prej këtij viti do të jem vazhdimisht pjesë e përfaqësueses. Të luaj për përfaqësuesen e vendit është krenaria më e madhe që një sportist mund ta ketë. Kështu që për mua ishte shumë e rëndësishme të luaj dhe të kem paraqitje sa më të mira me Kosovën”.

Për ekipet përfaqësuese të Kosovës, Dardan Kapiti është prej vitit 2015. Ka luajtur për grupmoshat U16, U18 e U20. Dhe ashtu si shpresohej, është bërë i rëndësishëm edhe te përfaqësuesja A.

Përfaqësuesja po vazhdon përgatitjet për ndeshjen me Danimarkën, ndërsa Kapiti është optimist.

“Kosova ka forcë për ta fituar grupin. Jemi ekip i kompletuar, me një staf të trajnerëve shumë të mirë. Dhe besoj që mund ta fitojmë grupin”, thotë Kapiti.

Vendi i parë në grup mundëson kalimin në kualifikimet e rregullta për Eurobasket 2025. Danimarka llogaritet favorite për shkak të nivelit të lojtarëve që i ka në përbërje, por edhe për shkak të përvojës.

Në raundin e parë të parakualifikimeve, Kosova ishte përballur me Danimarkën. Në Prishtinë, Kosova kishte fituar 78:73. Në Naestved, danezët kishin fituar bindshëm, 105:71. Danimarka kishte fituar dy herë ndaj Norvegjisë dhe doli e para në grup. Ndërkohë Kosova i kishte humbur dy ndeshjet me Norvegjinë dhe kishte mbetur e fundit në grup.

Tani, përfaqësuesja ka fytyrë tjetër me selektorin Rami Hadar.

“Atmosfera në ekip është shumë e mirë. Të gjithë jemi të motivuar, sidomos pas fitores ndaj Zvicrës. Por assesi të relaksuar. Janë edhe tri ndeshje që duhet fituar”, ka thënë Kapiti.

Ai ka pesë vjet që është në SHBA. Para Eastern Kentuckyt ishte te Florida Atlantic University.

“Jam shumë i kënaqur me zhvillimin si lojtar. Kam pasur pak telashe me lëndime, mirëpo edhe lëndimet janë pjesë e karrierës në sport, përkatësisht në basketboll”.

Në edicionin e kaluar Kapiti u paraqit në 35 ndeshje për EKU. Kishte 4,4 pikë dhe 2,5 kërcime për ndeshje. Është shquar me 27 bllokada, elemente për të cilat ishte i dyti në skuadër. Ai është i kënaqur me paraqitjet që kishte, ndërsa thotë se është përmirësuar në krahasim me edicionet e kaluara.

Në Eastern Kentucky University do të luajë edhe një edicion.

“Edhe një vit jam në EKU. Më pas, vitin tjetër do të vazhdojë si basketbollist profesionist”.

Deri te fillimi i edicionit në SHBA ka kohë. Dardan Kapiti aktualisht gjithë fokusin e ka te Kosova, përkatësisht te ndeshja me Danimarkën.

“Besoj që jemi gati të përballemi me Danimarkën. Edhe unë personalisht jam gati dhe shpresojmë të kemi rezultate të mira”, thotë ai.