Dion Gallapeni ka theksuar se fitorja ndaj Suedisë, në kualifikimet për Kupën e Botës 2026, ka rritur synimin e Kosovës për kualifikim.
Kosova më 8 shtator në “Fadil Vokrri” bëri njërën prej paraqitjeve më të mira deri më tani. Fitoi 2:0.
Paraqitje që u vlerësua lartë pati edhe Gallapeni. Ai luajti edhe në humbjen 4:0 në Basel ndaj Zvicrës më 5 shtator. Ishte inkuadruar në pjesën e dytë, derisa me Suedinë e kompletoi ndeshjen.
“Fitorja me Suedinë ka rritur ndjeshëm synimet e Kombëtares për kualifikim, nëse jo nga pozita e parë, nga e dyta gjithsesi. Besoj dhe shpresoj që do të ftohem dhe do të paraqitem në këto dy ndeshjet e radhës. Ne kemi dëshmuar se humbja ndaj Zvicrës ka qenë paksa aksidentale dhe nuk ishte realisht loja që ne kemi. Besoj se në dy ndeshjet e ardhshme do të kemi paraqitje edhe më të mira se ajo e fundit. Paraqitja ime është rezultat i grupit të mirë të lojtarëve dhe punës së madhe të stafit. Secili nga ne ishte në nivelin e duhur dhe në krye të detyrës. Besoj që e njëjta do të na përcjellë edhe në ndeshjet në vazhdim”, ka deklaruar Gallapeni për KOHËN.
Gallapeni ka paraqitje edhe për grupmoshën U21 të Kosovës.
Te Kosova A debutoi në triumfin ndaj Islandës në udhëtim, 3:1, kur “Dardanët” siguruan promovimin në Ligën B të Ligës së Kombeve. Ishin tre minutat e parë të 20-vjeçarit në krahun e majtë të mbrojtjes. Ai luajti edhe në dy miqësoret e qershorit, në fitoret ndaj Armenisë e Komoreve.
Kosova më 10 tetor e pret Slloveninë, derisa më 13 tetor luan në udhëtim ndaj Suedisë.