Albion Rrahmani u duartrokit nga rreth 200 të pranishëm në stërvitjen e dytë të Kosovës në prag të ndeshjes kundër Zvicrës. Ai mori duartrokitjet për golin e shënuar nga ekipi me jelekë ngjyrë të gjelbër. Rrahmani pranoi një top nga Florent Hadërgjonaj, bëri pak hapa para me top dhe me gjuajtje të saktë mposhti portierin e parë të Kosovës, Arijanet Muriq.
Rrahmani shënoi pak minuta pasi i saktë me kokë nuk ishte në anën tjetër sulmuesi Vedat Muriqi.
Portieri Muriq ishte në portë në ekipin ku u paraqit kapiteni Amir Rrahmani, që përkrah kishte Betim Fazlijin dhe Ibrahim Dresheviqin. Në krahun e djathtë ishte Mërgim Vojvoda, kurse në të majtin Leart Paqarada.
Florian Loshaj, Florent Muslija dhe Bernard Berisha ishin në mesfushë, kurse Milot Rashica përkrahte në sulm Vedat Muriqin. Renditja e tyre në fushë dukej 5-3-2.
Ekipin, që dukej të jetë i pari, e udhëhoqi selektori Primozh Gliha, kurse ekipin tjetër asistenti Arbnor Morina.
Edhe
Kosova i nis përgatitjet me 11 lojtarë
Kosova të shtunën e pret Zvicrën në stadiumin “Fadil Vokrri”, kurse në Bukuresht tri ditë më pas luan ndaj Rumanisë.
Gjatë zhvillimit të ndeshjes stërvitore, të mërkurën, në sy ra angazhimi i madh i Bernard Berishës. Berisha pati duele të shpeshta me Edon Zhegrovën, që në raste të shpeshta ndalej. Stërvitja e dytë e “Dardanëve”, e zhvilluar në Hajvali, nisi me ngrohje.
Gjatë ngrohjes pati thirrje nga të pranishmit. Stërvitja ishte e hapur për shikuesit. Por thirrjes së Federatës së Futbollit të Kosovës për t’i parë yjet, për t’u fotografuar dhe marrë nënshkrimet e lojtarëve të preferuar, iu përgjigjën vetëm rreth 200 persona. Kryesisht ishin fëmijë që herë pas here ngriheshin në këmbë dhe thërrisnin emrat e disa lojtarëve të Kosovës.
Disponimi te lojtarët ishte më e mirë se i stërvitjes së parë, të zhvilluar të martën pasdite po në Hajvali.
Pas përfundimit të stërvitjes, lojtarët e Kosovës qëndruan në fushë për të ndarë momente edhe me të pranishmit, të cilët morën si kujtim nga një nënshkrim dhe bënë fotografi.
Edhe
Opsionet e Kosovës në mungesë të kapitenit Rrahmani
Kosova të enjten dhe të premten do t’i ketë edhe dy stërvitje. Të shtunën do ta ketë ndeshjen e pestë kualifikuese për evropianin që mbahet vitin tjetër në Gjermani.
Kosova gati ka humbur gjasat për kualifikim në “Euro 2024”.