Mesfushori i Përfaqësueses së Kosovës, Herolind Shala, është futur në përbërjen më të mirë të javës në elitën e futbollit të Danimarkës, kanë njoftuar të martën mediumet e këtij vendi.
Shala 26-vjeçar, në ndeshjen e fundit, shënoi gol në barazimin e Lyngbyt 1:1 ndaj skuadrës së Horsensit. Për Shalën, ky ishte goli i parë në 11 paraqitje këtë edicion, shkruan sot “Koha Ditore”.
“Herolind Shala përveç golit që shënoi me Lyngbyn, ka pasur një paraqitje shumë të mirë, duke dhënë kontribut si në mbrojtje ashtu edhe në sulm”, kanë shkruar mediumet daneze.
Shala në verën e vitit të shkuar është transferuar te skuadra e Lyngbyt dhe ka kontratë deri në fund të vitit të ardhshëm. Ai gjatë karrierës ka luajtur edhe te Sparta Praga, Kasimpasha, Slovan Liberec e Odds.
Shala së fundi është ftuar nga Përfaqësuesja e Kosovës për miqësoret me Madagaskarin (24 mars) dhe Burkina Fason (27 mars).