Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Sevilla prek fundin në La Liga, synon mbijetesën

Në tri edicionet e kaluara, Sevilla siguroi vend në Ligën e Kampionëve duke përfunduar e katërta në ligën spanjolle. Këtë sezon, Sevilla po lufton për të shmangur rënien nga kategoria superiore. Është në mes të një kampanje për t'u harruar.

Klubi nga Andaluzia, i cili fitoi titullin e gjashtë të Ligës së Evropës vetëm tre vjet më parë, është në kërkim të një fitoreje të shtunën ndaj Cadizit, skuadrës që kishte pritur të luftonte për të shmangur rënien. Humbja 2:1 e Sevillas në Girona e la atë në vendin e parafundit në tabelë me 15 pikë, një pikë pas Cadizit. Lajmi i vetëm i mirë për Sevillan është se gjashtë skuadra janë me pikë të përafërta, kështu që disa fitore do t'i jepnin një shtysë të madhe në renditje ekipit të trajnerit Jorge Sampaoli.

Skuadra kishte nevojë që mesfushori Ivan Rakitiq të shënonte golin e parë këtë sezon, në mënyrë që të merrte fitoren 1:0 ndaj klubit të kategorisë së dytë, Alaves, në 1/8 e finales të Kupës së Spanjës, të martën mbrëma. Sevilla ka fituar vetëm pesë nga 11 ndeshjet e fundit. Katër fitore i ka regjistruar në garën e kupës.

Ndeshjet e ardhshme mund të jenë kritike për trajnerin Jorge Sampaoli. Pas Cadizit, Sevilla përballet me Elchen e vendit të fundit, përpara se të luajë kundër Barcelonës.

“Ne nuk kemi nevojë të mposhtim veten, ne vetëm duhet të bëjmë një ecuri të mirë”, tha Rakitiq për ndeshjet e ardhshme.

Edhe Sevilla mbyll edicionin e zbehtë duke festuar një tjetër sukses në Ligën e Evropës Sport Sevilla mbyll edicionin e zbehtë duke festuar një tjetër sukses në Ligën e Evropës

Sevilla shpreson të jetë e motivuar me rikthimin e sulmuesit Lucas Ocampos. Ocampos është kthyer te Sevilla pasi klubi spanjoll arriti marrëveshje me Ajaxin për ta shkurtuar huazimin e tij në Holandë. Pas vetëm gjashtë paraqitjeve me Ajaxin, ku ishte titullar, Ocampos pritet ta ndihmojë Sevillan për të dalë nga kriza e rezultateve. Krahas tij, ndaj Cadizit do të debutojë edhe mbrojtësi, Loic Bade, i cili së fundmi është huazuar nga Rennesi i Francës.

“Lucas është kthyer dhe jam i lumtur që ai mund të jetë me ne deri në fund të sezonit. Jam i sigurt se do të japë gjithçka”, tha Rakitiq. “Ai do të kthehet në rrjedhën që i nevojitet skuadrës”.

Kanë qenë disa muaj të trazuar për Sevillan, e cila për një kohë të gjatë është konsideruar si një nga klubet më të mira në Evropë, falë syrit të zgjuar për talentet të drejtorit sportiv Monchi Rodriguez. Por Monchi nuk ishte në gjendje të zëvendësonte me sukses qendërmbrojtësit Jules Kounde dhe Diego Carlos pas transferimeve të tyre vitin e kaluar te Barcelona dhe Aston Villa. Dyshja përbënte një ndër çiftet më të mira mbrojtëse në Spanjë dhe humbja e tyre e ka bërë Sevillan të pasigurt në prapavijë.

“Besoj se ekipi do të reagojë pasi të gjithë e kanë kuptuar situatën në të cilën jemi. Ne nuk e kemi ndërmend të dorëzohemi, por do të vazhdojmë deri në fund ta kërkojmë mbetjen në ligë, e që nuk është aspak mision i lehtë”, ka pranuar trajneri Sampaoli, i cili muaj më parë e zëvendësoi Julen Lopeteguin e shkarkuar.

Edhe Rekordi i Sevillas, garanci për sukses në Ligën e Evropës Sport Rekordi i Sevillas, garanci për sukses në Ligën e Evropës

Julen Lopetegui, trajneri që e kishte udhëhequr klubin drejt sukseseve evropiane për tre vjetët e mëparshëm, u shkarkua në fillim të tetorit pas një fillimi të dobët dhe eliminimit nga faza e grupeve të Ligës së Kampionëve. Lopetegui tani është në krye të klubit nga Premier League, Wolverhamptonit. Kthimi i Sampaolit për një periudhë të dytë te Sevilla nuk ka bërë shumë për të përmirësuar ekipin. Argjentinasi ka provuar taktika të ndryshme, duke përdorur fillimisht veteranin e Real Madridit, Iscon si “nëntëshe false” për të udhëhequr sulmin. Por kjo nuk funksionoi dhe Isco tani është larguar nga ekipi. Vendimi i Sampaolit për të luajtur një sulm më tradicional ka rezultuar gjithashtu i paefektshëm. Asnjë lojtar i Sevillas nuk ka shënuar më shumë se tri herë në ligë këtë sezon.

“Ne do të vazhdojmë ta përkrahim Sampaolin, i cili besoj se është njeriu i duhur për ta nxjerrë klubin nga kjo situatë. Sigurisht, që ekipi është më i dobët sesa sezonet e shkuara, por ne po punojmë për të gjetur lojtarë të rinj, të cilët mund të shtojnë cilësi në çdo repart”, ka theksuar Monchi.