Sport

Sekretari i FFK-së: Pas një viti mund të ketë dënim nga UEFA për kurdisje

Sekretari i përgjithshëm i Federatës së Kosovës në Futboll, Eroll Salihu, ka thënë se fenomeni “kurdisje” ka marrë hov të madh në Kosovë. Ai ka paralajmëruar se mund të ketë dënime të rënda nga Konfederata Evropiane e Futbollit (UEFA).

Madje Salihu ka theksuar se dënimi mund të mos vonojë shumë. Në “Sportin në Interaktiv” ku ishte i ftuar, Salihu ka thënë se ka indikacione se UEFA është duke i vëzhguar klubet kosovare dhe se mund të pasojë edhe ndonjë dënim.

“Shumë duhet të ndryshohet. Trukimi i ndeshjeve është dukuri në gjithë Ballkanin. Mendoj që është një rrezik që i kanoset futbollit të Kosovës. Jam në Komitetin Ligjor të UEFA-s ku aty diskutohet, sepse jemi instanca e fundit juridike sportive për këto çështje. Por, nëse themi se nuk është, atëherë i kemi mbyllur sytë. Duhet të pranojmë që po fillon të bëhet dukuri dhe jemi duke punuar shumë në këtë drejtim. Ka të caktuar edhe persona për integritet. Mund të ndodhë që pas një viti jë ekip të dënohet për kurdisje. Ka indikacione”, ka thënë Salihu.

Salihu nuk ka treguar se për cilat klube bëhet fjalë, por ka theksuar se janë shumë.

“Ka persona që punojnë në atë drejtim dhe nuk duhet të jemi ideal shumë. Më ka humbur mua idealizimi, sepse po e shohim sa e duam shtetin. Po e shihni se ku është shteti jonë. Nuk mërzitet ky popull pse jemi të varfër, por pse po keqpërdoren milionat, mos të futem në politikë. Por, dihet këtu, po tregohen. Jemi një prej shteteve më të korruptuara në Evropë e nuk kemi më shumë se dy miliarda euro buxhet. Edhe futbolli është pjesë e kësaj shoqërie. Janë në vëzhgim dhe ka shumë ekipe që janë në llupën e tyre (UEFA-s, v.j.)”, ka theksuar ai.

Ai ka ftuar edhe organet kompetente për të marrë masa që të parandalohen dukuritë negative. Si Federatë thotë se do ta kryejnë punën e vet.

“Nuk është rekord, sepse u bë interesant në fund kampionati dhe nuk u dolën të gjitha hesapet. Nuk mund të predikoj, sepse duhet të kemi fakte, por ne Federata nuk jemi hetuesi. Duhet të merren masat drastike nëse konfirmohet ndonjë rast. Dhe, jeni të bindur se në fund do të dalin rezultatet”, ka deklaruar Salihu.

Në fakt edhe edicioni që përfundoi disa javë më parë u përcoll me shumë akuza për rregullim të rezultateve të ndeshjeve. Se ka ndeshje të trukuara e kanë thënë edhe nga Prokuroria, por që deri tash ende nuk ka asnjë të dënuar.

Salihu ka folur edhe për situatën që është në përfaqësuesen e Kosovës. Ai i ka dalë në mbrojtje përzgjedhësit Bernard Challandes duke insistuar se nuk i ka dalë situata nga duart. Madje ka thënë se “problematikët” e Kosovës nuk do të mund ta prishin atmosferën që, sipas tij, është e mirë.

“Të jeni të bindur se atmosfera është e shkëlqyeshme. Challandes duket i urtë, por ai nuk lejon. Nuk lejon ashtu dhe secili ka dëshirë të luaj. Nuk po luan në ekipin tënd dhe vjen kërkon të luaj titullar, kështu nuk mundet. Atmosfera është e mirë në përfaqësuese. I kam pyetur edhe lojtarët e rinj dhe më kanë thënë se po u duket sikur të jenë një vit me ne e jo për një kohë të shkurtër. Atmosfera e mirë po e mban këtë përfaqësuese. Kemi investuar shumë dhe nuk do t’ia lejojmë një apo dy individëve ta prishin këtë atmosferë”, ka thënë Salihu.

Challandes është në shënjestër të kritikave nga një pjesë e opinionit. Madje edhe disa futbollistë kanë dalë hapur kundër përzgjedhësit Challandes dhe refuzojnë t’i bashkohen Kosovës derisa ai të jetë në krye të “Dardanëve”. Por nën drejtimin e tij Kosova ka arritur rezultatet më të mëdha.