Polonia e angazhoi Fernando Santosin për selektor të ri, bazuar në përvojën e tij të suksesshme në krye të përfaqësueses së Portugalisë, ka thënë presidenti i Federatës së Futbollit të Polonisë, Cezary Kulesza.
Santos, i cili udhëhoqi Portugalinë drejt suksesit në “Euro 2016” dhe triumfit në Ligën e Kombeve (2018/19) me Cristiano Ronaldon si kapiten, u prezantua të martën si selektor i Polonisë. Santos do ta drejtojë një përfaqësuese që e ka kapiten sulmuesin e Barcelonës, Robert Lewandowski, i cili në moshën 34-vjeçare po i afrohet fundit të karrierës dhe mund të ketë paraqitje në Evropianin e vitit të ardhshëm dhe ndoshta në Botërorin e vitit 2026. Santos me federatën polake ka firmosur kontratë për tre vjet e gjysmë. Kontrata e tij me Poloninë përfshinë dy cikle kualifikimi, për Euro 2024 dhe Kupën e Botës 2026, tha Federata e Futbollit të Polonisë. Te Polonia presin shumë nga trajneri portugez, i cili do të debutojë pas dy muajve. Në fund të muajit mars do të nisin kualifikimet për Evropianin 2024 që mbahet në Gjermani.
“Ne donim një trajner që kishte tashmë përvojë në drejtimin e një përfaqësuese, në mënyrë që ai të mos kishte nevojë të mësonte dhe të bënte përvojë në punë”, tha Kulesza në një konferencë për shtyp. “Por mbi të gjitha ne donim një trajner të suksesshëm. E një trajner të tillë tashmë e kemi angazhuar, pasi nuk duhen shumë fjalë për ta prezantuar Fernando Santosin”.
Santos është vetëm trajneri i dytë i Polonisë në këtë shekull, me përvojë të mëparshme ndërkombëtare pas Leo Beenhakkerit, që drejtoi ekipin në periudhën 2006 - 2009. Para se të bëhej trajner i Portugalisë në vitin 2014, Santos kishte një periudhë katërvjeçare në Greqi. Në nivel klubesh 68-vjeçari ka drejtuar ndër të tjera ekipet si Porto, AEK, Panathinaikos, Sporting dhe Benfica.
“U kushtoj shumë vëmendje dy fjalëve – ‘ne’ dhe ‘fitojmë’”, tha Santos teksa u prezantua në stadiumin kombëtar në Varshavë. “Ne duhet të mësohemi me fitoret, sepse mendoj se kjo përfaqësuese ka atë që duhet për të qenë në gjendje të garojë me çdo ekip të madh. Jam gati për këtë përvojë dhe besoj se do të kemi rezultate të mira së bashku”.
Santos u largua muajin e shkuar nga Portugalia, duke e shkëputur kontratën para kohe me federatën portugeze. Largimi i tij erdhi pas Kupës së Botës “Katari 2022”, në të cilën Portugalia u eliminua në çerekfinale nga Maroku. Pas largimit të Santosit, Federata e Futbollit të Portugalisë e angazhoi ish-selektorin e Belgjikës, Roberto Martinez.
Te Polonia, Santos do ta zëvendësojë Czeslaw Michniewiczin, i cili u largua nga ekipi po ashtu pas përfundimit të Botërorit të Katarit. Me Poloninë ai arriti deri në 1/8 e finales përpara se të eliminohej nga Argjentina.
Edhe
Polonia zyrtarizon Santosin
Federata polake vendosi të mos rinovojë kontratën me Michniewiczin edhe pse ai udhëhoqi ekipin në paraqitjen e parë në fazën eliminatore të Kupës së Botës në 36 vjet. Ai u kritikua ashpër në Poloni për shkak të një formacioni kryesisht mbrojtës në barazimin e parë kundër Meksikës.
Në kualifikimet për “Euro 2024”, Polonia bën pjesë në Grupin E së bashku me Çekinë, Shqipërinë, Ishujt Faroe dhe Moldavinë.
“Ne duam të paraqitemi në Evropianin e vitit të ardhshëm dhe për ta bërë këtë duhet t’i fitojmë ndeshjet kualifikuese. Unë kam besim të madh në këtë ekip dhe jam optimist se do të avancojmë nga grupi”, ka insistuar Santos, i cili për këtë post ka mposhtur Paulo Benton e Steven Gerrardin, që ishin marrë në konsideratë nga drejtuesit e federatës së Polonisë.