Sport

Santosi largohet nga Portugalia me dy trofe

Fernando Santos është shkarkuar të enjten nga posti i përzgjedhësit të Portugalisë pas tetë vjetësh.

Ky lajm vjen pak ditë pasi Portugalia u eliminua në çerekfinale të Kupës së Botës në Katar, pas disfatës që e pësoi nga Maroku me rezultatin 1:0.

Santosi u emërua në postin e përzgjedhësit të përfaqësueses portugeze në vitin 2014, ndërsa largohet me dy trofe të fituar.

Në vitin 2016, ai me Portugalinë e fitoi Kampionatin Evropian, ndërsa triumfoi edhe në qershor të vitit 2019, në edicionin inaugurues të Ligës së Kombeve.

Santosi e ka udhëhequr Portugalinë në 109 ndeshje.

Ka regjistruar 67 fitore, 23 barazime dhe 19 disfata.