Futbollisti që në të kaluarën ka luajtur për Kosovën, Loret Sadiku, është shndërruar në lojtar të rëndësishëm te Hammarby, në edicionin e ri të elitës së futbollit suedez. Ai para fillimit të këtij edicioni iu bashkua Hammabryt dhe i kanë mjaftuar vetëm gjashtë paraqitje për t’u konsideruar lider i ekipit, ka shkruar “Fotbollskanalen” të martën.
Këtë e ka pranuar edhe trajneri i Hammarbyt, Marti Cifuentes. Këtë edicion Hammarby nuk di për humbje dhe është lider në tabelë me 16 pikë të tubuara, falë pesë fitoreve dhe një barazimi. Sadiku ka luajtur në të gjitha ndeshjet për ta ndihmuar ekipin e ri në këtë start të furishëm.
Për trajnerin Cifuentes, mbrojtësi tashmë konsiderohet lojtar tejet i rëndësishëm. Ai është i lumtur që e ka një lojtar të kalibrit të Sadikut nën urdhra.
“Ai e kupton që ekuilibri në ekip është i rëndësishëm. Ai ka aftësinë për të lidhur lojën nga mbrojtja me lojtarët sulmues. Loreti është shumë i mirë në pozicionimin e tij dhe e kupton se kur është koha për të shkuar përpara dhe kur është koha për të mos bërë presion në fushë. Ai e kupton kur duhet të rikuperojmë topin dhe për këtë arsye është njëri prej lojtarëve më të rëndësishëm në ekipin tonë këtë sezon”, ka pranuar Cifuentes.
Edhe bashkëlojtari i Sadikut, sulmuesi i Kosovës, Astrit Selmani, është i impresionuar me cilësitë e mbrojtësit. Sipas Selmanit, Sadiku është shumë i rëndësishëm në rrugëtimin e Hammarbyt, që po synon të luftojë për trofe në futbollin suedez.
“Ai bën gjërat e duhura. Është në vendin dhe momentin e duhur. Ai pastron topat e duhur. Mund të mos e vëmë re aq shumë, por ai bën punën që na nevojitet si ekip në fushë. Ai ka qenë shumë i mirë në ndeshjet e fundit dhe po shkon duke u përmirësuar. I duhet edhe pak kohë për shkak se është kthyer në fushat me bari artificial, por Loreti është ndër më të mirët në ekipin tonë”, është shprehur Selmani. “Unë mendoj se ai është një nga më të mirët në pozitën e tij. Ne nuk mund të presim 20 gola apo 20 asistime prej tij, por neve na duhet një lojtar i tillë, sidomos këtë sezon që presim të jetë i suksesshëm”.
Edhe
Loret Sadiku asiston në fitore
Sadiku është kthyer në futbollin suedez pas gati tetë vjetësh në Turqi, ku ka luajtur me ekipet Mersin dhe Kasimpasha. Ai në fillim të këtij viti u largua nga Kasimpasha për të firmosur kontratë me Hammarbyn deri në fund të vitit 2024.
Në Suedi, Sadiku ka bërë karrierë edhe te Helsingborgu e Varnamo. Ai me Helsinborgun ka fituar Superkupën e Suedisë.
Në vitin 2014, Sadiku pati debutuar për Kosovën dhe me “Dardanët” ka regjistruar katër paraqitje në ndeshjet miqësore. Ai nuk pati mundësi të paraqitet për Kosovën në ndeshje zyrtare për shkak të rregulloreve të FIFA-s.