Sport

Rusia e mendon karantinën për futbollistet që luajtën në Gjermani, Kosova s’ndërmerr asnjë masë

Shikuesit në ndeshjen e Kosovës me Rusinë, të luajtur në Gjermani

Futbollistet e Rusisë mund të futen në karantinë pasi të kthehen në vendin e tyre, nga frika se mund të jenë të infektuara me koronavirus. Një mundësi të tillë e ka lënë të hapur mjeku i përfaqësueses ruse, Eduard Bezuglov.

Rusia të premten mbrëma ka luajtur kundër Kosovës në Wiesbaden të Gjermanisë në eliminatore për “Euro 2021”. Për dallim nga lojtaret ruse që mund të izolohen, lojtaret e Kosovës janë kthyer në vend pa iu nënshtruar ndonjë kontrollimi. Nuk do të ketë tretman të veçantë ndaj tyre, raporton Koha.net.

Gjermania është prej vendeve të prekura nga koronavirusi. Në Rusi është në fuqi një rekomandim që të gjithë shtetasit rus që kthehen nga vendet e prekura nga koronavirusi të izolohen për 14 ditë. Tani u mbetet klubeve ku luajnë lojtaret ruse që të zbatojnë këtë masë.

Në Gjermani ka shkuar mbi 600 numri i qytetarëve të prekur nga koronavirusi. Por në Federatën e Futbollit të Kosovës nuk shprehen të brengosur për këtë dhe nuk besojnë që ndonjë prej lojtareve apo të anëtarëve të stafit përcjellës të jetë infektuar me koronavirus.

“Nuk ka ndonjë masë nga ana jonë. Në Gjermani nuk kishte shumë shikues dhe stafi ynë mjekësor ka qenë me ne. Nuk ka ndonjë indikacion. Futbollistet nuk do të kthehen në shtëpitë e tyre por do të vendosen në hotel sepse e kemi ndeshjen e radhës”, ka thënë Eroll Salihu, sekretar i përgjithshëm i FFK-së për Koha.net.

Delegacioni kosovar të shtunën pasdite ka arritur në Prishtinë. Në Aeroportin “Adem Jashari” nuk ka pasur ndonjë kontroll. Në aeroport kanë qëndruar tre pjesëtarë të stafit mjekësor, por nuk ka pasur ndonjë kontroll ndaj lojtareve. Vetëm janë shpërndarë fletushka.

Deri më tani në Kosovë nuk është evidentuar ndonjë rast me koronavirus. Por në vendet e regjionit ka të infektuar, ndonëse jo në numër të madh.

Në disa vende të regjionit ngjarje sportive janë zhvilluar pa shikues së fundi. Në Kosovë nuk ka pasur ndonjë ndryshim pas përhapjes së virusit. Aktivitetet sportive janë zhvilluar normalisht, edhe me mijëra shikues në stadiume.

Të premten kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti ka thënë se duhet të merren masa.

“Mirë do të ishte që si Kosovë që nga tani t’i suspendojmë tubimet e mëdha publike si parandalim e jo më vonë si reaksion. Nuk ka vend për panik, por ka hapësirë për të ndaluar përhapjen e virusit i cili po mund edhe shtetet më të zhvilluara e më të organizuara se Kosova”, ka shkruar Ahmeti.

Në shumë vende të botës sporti është goditur rëndë nga koronavirusi. Në gjithë Evropën ndeshje luhen pa shikues e shumë të tjera shtyhen nga frika e përhapjes së koronavirusit.